SPECIALISTËT/ Shqipëria me pak shanse kualifikimi, “lapsi” që na çon në Euro 2020    

SPECIALISTËT/ Shqipëria me pak shanse kualifikimi, “lapsi” që na çon në Euro 2020    
Specialistët nuk e shohin të mundshëm kualifikimin

Sa shanse ka Kombëtarja e Shqipërisë për të prekur për herë të dytë radhazi finalet e Europianit? Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si dhe trajneri Christian Panucci, pasi u mësuan me emrat e ekipeve kundërshtare kanë shpalosur objektivin: “vendi i dytë i arritshëm, sjell edhe kualifikimin.” Vendi i parë shihet si i pronotuar nga kampionët e botës në fuqi, Franca. Por vendi i dytë është i njëjti objektiv që synojnë edhe dy ekipet tjera të Grupit H, ku bën pjesë Shqipëria. Turqia dhe Islanda. Janë dy ekipe që pozicionoheshin në vazot më lart Shqipërisë dhe logjikisht me ambicie më të mëdha. Islanda, edhe pse përfaqëson një popullsi nën 400 mijë banorë, falë një gjenerate të artë u kualifikua në Euro 2016 dhe “Rusi 2018”.

Turqia vazhdimisht pjesëmarrëse në evente të mëdha, madje e treta në botë në Botërorin 2002, ka kaluar një periudhë me luhatje vitet e fundit. Megjithatë Islanda dhe Turqia kanë treguar një performancë më të mirë se Shqipëria gjatë vitit të fundit, çka i bën ato edhe më favorite se Kombëtarja e Shqipërisë. Atëherë a kemi shanse më të mëdha kualifikimi se rivalët? Një sërë specialistësh të futbollit shqiptarë mendojnë se jo.

“Turqia dhe Islanda janë skuadra të forta, janë në zhvillim. Domosdo, kanë edhe ekipe me përbërje cilësore. Edhe ne duhet të bëjmë tonën, të mundohemi të marrim maksimumin. Por niveli jonë me nivelin e tyre në këtë moment është më i ulët,’ thotë Shkëlqim Muça, ish-lojtar dhe trajner i njohur në vendin tonë.  Ashtu si ai edhe specialistë të tjerë ndajnë mendimin se kemi të bëjmë me dy skuadra më të forta se Shqipëria në këto momente, pa llogaritur Francën, por çelësi i mundshëm i suksesit do të jetë në dorë të trajnerit Christian Panucci, i cili ka për detyrë t’i ndryshojë në kohë rekord imazhin ekipit, për të rikthyer mentalitetin fitues, që mungoi gjatë miqësoreve të vitit të fundit dhe ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

“Lapsi” që na çon në Euro 2020!      

Moldavia dhe Andorra nuk shihen ekipe me pretendime për ndonjë kualifikim të mundshëm në Euro 2020. Në katër ndeshje përballë tyre, Kombëtarja e Shqipërisë synon të marrë 12 pikë të plota. Nëse ia del dhe merr maksimumin me dy ekipet pa pretendime, në dy ndeshje përballë Islandës dhe Turqisë brenda fushës së saj, Shqipëria kërkon sërish maksimumin, që të shpresojë kualifikimin, pa llogaritur surprizat jashtë . Barazimi i mundshëm me Francën në ndeshjen e fundit, kohë kur besohet se kampionët e botës do të kenë siguruar kualifikimin e tyre, janë pjesë të llogarive optimiste të kuqezinjve në këto momente.

Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë

Shqipëri-Turqi -  22 Mars 2019

Andorra-Shqipëri - 25 Mars 2019

Islandë-Shqipëri  - 8 Qershor 2019

Shqipëri-Moldavi - 11 Qershor 2019

Francë-Shqipëri - 7 Shtator 2019

Shqipëri-Islandë- 10 Shtator 2019

Turqi-Shqipëri - 11 Tetor 2019

Moldavi-Shqipëri- 14 Tetor 2019

Shqipëri-Andorra - 16 Nëntor 2019

Shqipëri-Francë - 19 Nëntor 2019

Shpërndajeni me miqtë tuaj: