Shteti vazhdon të “zhvasë”shtetin, KLSH: 1 miliard euro abuzime të reja

Shteti vazhdon të “zhvasë”shtetin, KLSH: 1 miliard euro abuzime të reja
Në Shqipëri, institucionet vazhdojnë që të “zhvasin” nga fondet publike.

Dukuria tashmë e njohur, është denoncuar sërish nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e tij të radhës për periudhën janar-shtator të këtij viti. Edhe përgjatë saj, ai ka konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në mjaft institucione dhe dikastere qendrore të këtij vendi.

“Në total janë konstatuar shkelje në shumën e 957.3 milionë eurove”, pohon KLSH-ja. Duke detajuar se vetëm nga shkelja e disiplinës financiare, në institucionet shtetërore është krijuar një ndikim negativ në shumën totale të 917 milionë eurove.

Ndërsa 40 milionë euro të tjera është dëmi i shkaktuar përmes parregullsive dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera prej tyre.

Nga ana tjetër, gjithmonë sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, një sektor ku duket se shteti i “ka futur” më shumë duart tek fondet publike dhe ka abuzuar me to ka qenë ai i shitjeve, dhënies me qera të pronave publike, koncesioneve, apo edhe kontratave të njohura me termin PPP, Partneritet Publik-Privat.

Pikërisht në këtë fushë, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej 2.1 miliardë lekësh. Pasuar nga Doganat me më shumë se 1 miliardë lekë e më pas Tatim- Taksat me 223 milionë lekë dëme.

Që të gjithë këta, sektorë të cilët presupozohet se duhet t’i sjellin pjesën më të madhe të të ardhurave arkës së përbashkët të shtetit shqiptar, por që mesa duket, në “rrugë e sipër” ato vetëm pakësohen.

Por edhe tek grupi i shkeljes së disiplinës financiare në fushën e të ardhurave, sërish PPP-të, koncensionet dhe qiradhënia apo shitja e pronës shtetërore zë një vend të konsiderueshëm. Në total, nga auditimet e kryera janë konstatuar shkelje në shumën 12.1 miliardë lekë në këtë fushë, pasuar nga grupi të tjera me 17.7 miliardë lekë dhe në sistemin tatimor me 14.2 miliardë lekë.

 

Si janë ndarë abuzimet me fondet e shtetit edhe dëmet financiare që kanë shkaktuar?

- Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 39.7 milionë euro.

- Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej

917.6 milionë euro. Nga kjo:

  1. 351.1 milionë euro në fushën e të ardhurave;

  1. 566.5 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me efiçencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.

“Në total janë konstatuar shkelje në shumën 120,343,336 mijë lekë ose afërsisht 957.3 milionë euro”.

 

 KLSH në prokurori 34 kallëzime penale, 98 persona të kallëzuar

Rreth 34 kallëzime penale dhe plot 98 persona të akuzuar, ka qenë bilanci i Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me denoncimet e bëra prej tij pranë prokurorisë mbi abuzimet që institucionet kanë bërë me fondet publike. “Gjithashtu, gjatë periudhës janar-shtator 2018 janë rekomanduar gjithsej 66 propozime për ndryshime ligjore”, pohon KLSH-ja. Sa u përket kallëzimeve penale, sqarohet se ato janë bërë për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë, konkretisht në këto institucione: Drejtoria e Rezervave të Shtetit, ALUIZNI, ERE, Aviacioni Civil, Bashkia Belsh, Bashkia Rrogozhinë, Universiteti i Korçës, Spitali Universitar i Traumës,  Hekurudha Shqiptare, etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: