SHORTI PËR EURO 2020/ Duka: I mundshëm vendi i dytë dhe kualifikimi

SHORTI PËR EURO 2020/ Duka: I mundshëm vendi i dytë dhe kualifikimi
Presidenti i FSHF-së Armand Duka i kënaqur që shorti nuk e vuri Shqipërinë në grup me Gjermaninë e Holandën

Aranit Muraçi

Pas shortit të ndeshjeve kualifikuese që u hodh në Dublin, presidenti i FSHF Armand Duka e vlerësoi me notën mesatare fatin e goglave. Shqipëria do të përballet me kampionët në fuqi të Botës, që shihet favoritja kryesore për të prerë biletën në finalet e Euro 2020, por do të ketë si rivalë për vendin e dytë ekipet e tjera si Islanda dhe Turqia. Pikërisht për këtë arsye, Duka e konsideroi disi pozitiv shortin, teksa dy ekipet e fundit në grupin tonë, Moldavia dhe Andorra nuk konsiderohen me ambicie për ndonjë kualifikim të mundshëm. Fill pas shortit dhe kur u njoh me kundërshtarët, Armand Duka, u shpreh:

Zoti Duka, si u prit nga ana juaj shorti në Dublin?

Nuk besoj se mund të pretendohet kualifikimi vetëm nga shorti, fituesit dalin nga fusha. Duhet të bëjmë më të mirën në fushën  e lojës. Por nga shorti, gotën e shoh gjysmë plot, deri diku pozitiv. Imagjino sikur të ishte grupi me Gjermaninë dhe Holandën, do të ishte masakruese për ne. Duke menduar këtë, e shoh pozitiv atë.

A kishit ndonjë preferencë para se të hidhej shorti?

Pas 2 skuadrave të para, nuk doja të ishim në një grup me Gjermaninë dhe Holandën. Të gjithë kokat e grupeve të tjera janë skuadra të forta, që kanë bërë paraqitje të mira gjatë viteve të fundit. Franca siç është e fortë për ekipin tonë, do jetë po ashtu e tillë edhe për ekipet e tjera. Por mund të konkurrojmë për një vend të dytë. Gjithsesi, herët të bëjmë llogari.

Shorti i Kosovës?

Jam në tavolinë me trajnerin e Kosovës dhe zyrtarë të tjerë, janë të kënaqur që do luajnë me Anglinë, dhe mund të fitojnë edhe në Wembley.

Stadiumi i ri i Kombëtares në Tiranë, kur do të jetë gati?

Besoj se në mars vështirë do të jetë gati, por besoj se do të luajmë aty në muajin qershor.

 

Faza e grupeve kualifikuese, Euro 2020

Euro 2020, asnjë ekip nuk kualifikohet direkt

Europa, 55 ekipe janë ndarë në 10 grupe

Finalet, 24 ekipe do të kualifikohen gjithsej

Kualifikohen dy ekipet e para në secilën prej 10 grupeve

Katër të tjerat sigurohen nga “Play-offs” i Ligës së Kombeve

Finalet

Finalja dhe gjysmëfinalet e Euro 2020 do të zhvillohen në “Wembley” të Londrës. Ndeshjet e grupeve dhe ato çerekfinale do të zhvillohen në disa qytete të Europës: si Baku, Munich, Romë, Saint Petersburg, Amsterdam, Bilbao, Bucharest, Budapest, Kopenhagen,Dublin, Glasgow, Londër.  Fakti që Euro 2020 nuk do të organizohet nga një vend e vetëm, si deri tani, që do të thotë se për herë të parë asnjë ekip nuk e ka prerë biletën për në finalet e Europianit të ardhshëm.

 Ndeshjet

21–26 Mars, 7–8 & 10–11 qershor, 5–10 shtator, 10–15 Tetor & 14–19 Nëntor 2019:

12 qershor–12 korrik 2020: Finalet e EURO 2020

Shpërndajeni me miqtë tuaj: