RRËFIMI/ Luka Modric: Topi i Artë, një ndjenjë e pashpjegueshme

RRËFIMI/ Luka Modric: Topi i Artë, një ndjenjë e pashpjegueshme
Fituesi i Topit të Artë i shpallur nga “France Football” shprehet i lumtur që mori trofeun duke e konsideruar veten njeri i zakonshëm, por shprehu pengun e madh që nuk fitoi Kupën e Botës  

Kroati Luka Modic, 33 vjeç, u kurorëzua Futbollisti i Vitit 2018, duke ngritur lart Topin e Artë. Ai u rëndit përpara portugezit Cristiano Ronaldo dhe francezit Antoine Griezmann. Pascal Ferré, kryeredaktor i France Football, prezantoi trofeun me laureatin para ceremonisë, në një mbrëmje gala që u zhvillua në Paris. Mesfushori i Real Madrid la pas një sezon të shkëlqyer me klubin e tij duke ngritur trofeun e Champions League, por më tepër u vlerësua për paraqitjen në finalet e Kupës së Botës 2010, duke udhëhequr Kroacinë drejt finales së madhe. Pavarësisht se turneun e fitoi Franca, Modric u vlerësua në aspektin individual pas votimit të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare, si dhe një paneli gazetarësh që përzgjidhet nga revista franceze dhe FIFA. Kroati i artë, pas triumfit personal që i dha fund dominimit 10-vjeçar Messi-Ronaldo, pranoi se pavarësisht vlerësimit individual, do të ishte më i lumtur me trofeun e Kupës së Botës. Megjithatë ai nuk e fshehu krenarinë pas marrjes së çmimit:

Ku do ta vendosni trofeun tuaj?

Netët e para, ndoshta do të jetë pranë shtratit tim dhe më pas, do të gjej një vend të bukur ku mund ta ekspozoj atë.

Luka, në qoftë se do të kishit mundësi për zgjedhje që të fitonit Kupën e Botës ose Topin e Artë, çfarë do të zgjidhnit?

Kupën e Botës. Padyshim. Gjithmonë kam thënë, trofetë kolektiv janë më të rëndësishmet dhe gjithmonë do të zgjidhja kolektivin dhe Kupën e Botës me Kroacinë. Por për fat të keq, nuk mundem të ndryshoj asgjë. Topi i Artë është gjithashtu një trofe i madh për mua. Edhe pse është e tillë, por nëse do të mundesha , do të zgjedhja Kupën e Botës.

Një fjalë për konkurrentët francezë Griezmann dhe Mbappe?

Lojtarë shumë të mirë. Kaluan një sezon të shkëlqyer me klubet dhe fituan Kupën e Botës. Unë jam i sigurt se do të bëjnë edhe më mirë në të ardhmen. Sidomos Kylian Mbappé, i cili është një talent i madh. Ai ka një të ardhme të sigurt dhe duhet të presë  për të.

A është ky trofe një hakmarrje për ty?

Unë nuk e shoh atë të tillë...Jam i lumtur që u vlerësova individualisht. Shumë njerëz më kanë nderuar për vitin që po lëmë pas, i cili ka qenë kaq i veçantë për mua. Kam lënë pas një sezon të shkëlqyer. Kjo është arsyeja pse tani jam i lumtur. Por trofeu nuk është patjetër një hakmarrje nga ana ime, ndaj askujt.

Çfarë do të thotë tani që përfunduat para Cristiano Ronaldos? Ju keni shpenzuar shumë kohë me të, ai që ka qenë gjithmonë ylli më i vlerësuar ...

Është një ndjenjë e pashpjegueshme për mua që kam fituar Topin e Artë. Jo sepse përfundova para Cristiano-s. Është mahnitëse të ngresh lart këtë trofe. Është një trofe shumë i bukur. Ky vit ka qenë fenomenal për mua. Në të gjitha aspektet. Kolektivisht, individualisht. E përsëris, i falënderoj dhe jam krenar për të gjithë njerëzit që votuan për mua, duke më bërë të njohur si më i miri në botë.

Çfarë do t’i thotë Luka Modric vetes, pasi i fitoi një betejë të tillë?

Jo shumë fjalë. Vetëm të mos jetë i shqetësuar. Duhet të luftojë shumë për të arritur këtë nivel, sepse vetëm atëherë do të mund të arrihet triumfi. Puna një ditë me siguri do të shpërblehet. Prandaj edhe tani jam shumë krenar për veten time...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: