Protestë masive për tarifat e studimit, qindra studentë “rrethojnë” Ministrinë e Arsimit

Protestë masive për tarifat e studimit, qindra studentë “rrethojnë” Ministrinë e Arsimit
Qindra studentë kanë dalë sot në një protestë masive përpara Ministrisë së Arsimit.

Ata kanë kërkuar uljen e tarifave vjetore të studimit dhe heqjen e pagesave shtesë për provimet.

Studentët kanë nisur marshimin e protestës nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit,  Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe njëkohësisht nga sheshi “Nënë Tereza”, për t’u bashkuar përpara zyrës së ministres Lindita Nikolla.

Protestuesit janë ulur përtokë duke deklaruar se nuk largohen pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Protestuesit kanë refuzuar tentativën për të negociuatr nga zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahinni.

Në protestë kanë dalë studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik.

Në mbështetje të protestës së studentëve ka dalë edhe opozita.

“Studentët janë më të vendosur se kurrë për t’i thënë ndal njëherë e mirë, Edi Ramës, Lindita Nikollës e çdo qeveritari tjetër, që tallet me të ardhmen e tyre”, tha kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

Ndërsa ish-Kryeministri Berisha ka bërë thirrje në rrjetet sociale për bashkim.

“Ju bëj thirrje studentëve të bashkohen me protestën deri në përgjysmimin e tarifave dhe heqjen e çdo gjobë ndaj tyre. Studentët do fitojnë!” shkruan Berisha.

Protesta e studentëve ka filluar një ditë më parë përpara fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit,  Arkitekturës dhe Urbanistikës, ndërsa sot është zgjeruar me pjesëmarrjen e studentëve të tjerë nga universitetet publike në Tiranë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: