PROTESTA STUDENTORE DHE MUNGESA E LIDERËVE - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

PROTESTA STUDENTORE DHE MUNGESA E LIDERËVE - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Protesta e fuqishme studentore e ditëve të fundit, në mënyrë subkoshiente, na kujton neve, pjesëmarrësve të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, ditët e Ndryshimit të Madh. Por fatkeqësisht, sot nuk shohim liderë të staturës së Sali Berishës apo Gramoz Pashkos, që të pranohen nga lëvizja e sotme studentore, siç u pranuan gjerësisht ata të dy nga studentët e Dhjetorit. (Në tre dekadat e fundit, kanë qarkulluar lloj-lloj teorish konspirative rreth ardhjes së Berishës dhe Pashkos në lëvizjen studentore, por është fakt i pakundërshtueshëm, se shumica dërrmuese e studentëve dhe pedagogëve të rinj shihnin atëherë tek ata të dy, njerëzit që kishin mbajtur qëndrimet më konseguente në përputhje me kërkesat e lëvizjes studentore.)

Protestuesit e sotëm studentorë i zbuan me të drejtë politikanët aktualë, sepse të dyja palët e politikës janë përgjegjëse për situatën e arsimit të lartë. Nga ana tjetër, para tre dekadash, kishte vetëm një palë përgjegjëse për situatën ndaj së cilës studentët protestonin – Partia e Punës. Prandaj dhe studentët e atëhershëm i mirëpritën Berishën e Pashkon, sepse ishin dy komunistë që e kishin denoncuar publikisht Partinë e Punës, të bindur se kishin bërë gabim që ishin bërë anëtarë të saj.

Po sot, kush mund të ketë sy e faqe të shkojë tek protesta e studentëve? Kush nga politikanët aktualë me poste të larta, majtas e djathtas, e ka ngritur zërin kur janë miratuar në Kuvend nenet që e kanë sjellë arsimin në gjendjen që është sot? Politikanë të PS-së, PD-së, LSI-së?

Në fakt, një ish-politikane, Jozefina Topalli, e ka ngritur zërin fort në grupin parlamentar më 2015, kur u diskutua ligji aktual për arsimin e lartë. “Kudo flitet për arsimin e lartë, vetëm në PD jo” – tha atëherë znj. Topalli. “I kemi lënë në baltë studentët dhe pedagogët, që po e kundërshtojnë projektligjin për arsimin e lartë”, i ra kambanave të alarmit ajo më 2015-ën.

Fatkeqësisht, znj. Topalli është tërhequr nga politika qysh kur Basha e la jashtë listës së tij të famshme të deputetëve (pas takimit nokturn me Ramën në majin e 2017-ës). Sidoqoftë, ajo mbetet një ndër njerëzit publikë më të spikatur, që ka të drejtën morale t’i bashkohet lëvizjes studentore së sotme, siç iu bashkua dikur Lëvizjes së Dhjetorit Berisha e Pashko. Për më tepër, ndër politikanët e djathtë, ajo ka rezultuar me kuotat më të larta pozitive në sondazhet periodike që kryej unë.

Kuptohet që znj. Topalli nuk është e vetmja figurë publike që mund t’i japë karburant lëvizjes studentore. Vetë studentët e pedagogët e rinj mund të nxjerrin në krye të tyre një figurë karizmatike, siç ishte i ndjeri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990-ës. Sidoqoftë, historia ka treguar se, kur në krye të lëvizjeve studentore vihen njerëz të kalibrit të Berishës apo Pashkos (siç ndodhi më 1990), protesta nuk kufizohet vetëm tek kushtet e këqija të konviktit, apo tek pagesat e larta për provimet. Ajo shkon tek rrënjët e problemeve…

Masiviteti i protestës aktuale studentore na tregon se një gjë është e sigurtë: Opozita e sotme nuk mbledh dot njerëz në shesh, kurse vrulli rinor mbledh (shihni fotot krahasuese të protestave). Dhe për këtë arsye, liderët e opozitës aktuale nuk kanë të drejtën morale të vihen në krye të lëvizjes studentore. Ose opozita duhet të ndërrojë lidershipin, ose lëvizja rinore duhet t’i zërë vendin opozitës…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: