PROTESTA / Rama “merr kthesën”: Ejani t’ju dëgjoj, Studentët: Nuk ka negociata, plotëso kërkesat

PROTESTA / Rama “merr kthesën”: Ejani t’ju dëgjoj, Studentët: Nuk ka negociata, plotëso kërkesat
Protesta e sotme ka shënuar edhe debatin e parë në distancë ndërmjet KLryeministrit Edi Rama dhe studentëve protestues.

Rama është tërhequr nga etiketimet fyese të dy ditëve më parë si “kazan”, “ngelësa” etj dhe ka kërkuar të nisë dialogun.

“Shqetësimi adresohet përmes dialogut. Dua që ta dinë se kam shumë për t’u thënë por patjetër kam shumë ti dëgjoj ballë pa përballë pa administratorë, pa pedagogë, Studentët që i zgjedhin vetë”, tha Rama në një dalje me video në rrjetet sociale.

Por oferta për negociata është refuzuar nga studentët në shesh.

“Ne nuk bëhemi pjesë e tavolinave të bisedimeve. Nuk ka negociata me ty” ka qenë përgjigja e tyre.

Studentët kanë kërkuar plotësimin e menjëhershëm të të gjitha kërkesave të tyre.

Ata kanë kërcënuar drejtpërdrejt ministren e Arsimit, Lindita Nikolla me kërkesë për largimin e saj.

“O plotëso kërkesat, o dorëhiqu. Nuk ka negociata, nuk takohemi veç e veç”, kanë qenë thirrjet e tyre.

Edhe ministrja Nikolla kishte thënë më herët se ishte e gatshme për bisedime, por me një përfaqësi studentësh në ambientet e Ministrisë, pasi “nuk është etike që të dal në shesh”.

Edhe kjo ofertë është refuzuar nga studentët, që kanë kërkuar gjatë gjithë ditës së sotme daljen e ministres në bulevard, për të folur përpara tyre. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: