PROTESTA/ Nikolla tenton të negociojë, Rama e quan “zhurmë kazanësh”. Studentët: Rezistencë kundër arrogancës

PROTESTA/ Nikolla tenton të negociojë, Rama e quan “zhurmë kazanësh”. Studentët: Rezistencë kundër arrogancës
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka thënë sot në një dalje për mediat se është e hapur për të negociuar në lidhje me tarifën që duhet të paguanin studentët në varësi të krediteve të mbartura.

Nikolla tha se bëhet fjalë për një vendim të miratuar në Këshillin e Ministrave i cili nuk ka hyrë ende në fuqi.

“Këtu kam dy VKM, atë të vitit 2013; që thotë se studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi. Ndaj kjo është e njëjtë dhe tashmë. Për të gjithë ata studentë, e përsërit me respektin maksimal se janë në të drejtën e tyre të protestojnë, ai nuk ka hyrë në fuqi për këtë vit. Jam e hapur që të mblidhet Këshilli i Ministrave që kjo pikë të diskutohet nga universitetet. Jam e gatshme që të gjendet një zgjidhje për këtë pikë”, tha Nikolla.

Përpara se të dilte në konferencë për shtyp, Nikolla kishte thirrur në një takim dekanët e fakulteteve të universiteteve publike.

Studentë të këtyre universiteteve kanë kërkuar heqjen e tarifës prej 670 lekë për kredit për çdo provim të mbartur si dhe shtyrje të pagesës së studimit për në janar.

Sa i përket tarifave vjetore, Nikolla tha se ato janë rritur në disa degë në vitin 2014, por nga ajo kohë nuk ka patur rritje tjetër.

Duke folur për “suksesin e reformës në arsimin e lartë”, ministrja tha se “nuk mund të lejojmë një gropë financiare tjetër”.

Teksa ministrja e Arsimit bëri të ditur se është e hapur të negociojë me studentët, Kryeministri Edi Rama ka qenë më i ashpër në reagimin e tij në rrjetet sociale. Ashtui si në rastin e protestës për prishjen e objekteve në Unazën e Re, Kryeministri ka folur për “këmbëngulje të pakicës”.

“A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vete universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare) po ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe këmbëngulje nga një pakicë për të mos pranuar zbatimin e reformës që e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjeçar”, shkruan Rama.

Reagimi i Kryeministrit ka shkaktuar acarim tek studentët, të cilët janë shprehur se do t’i përgjigjen me rezistencë arrogancës.

Gjatë paradites së sotme, qindra studentë dolën në një protestë masive përpara Ministrisë së Arsimit, duke e rrethuar dhe duke bllokuar edhe qarkullimin në zonën rreth godinës.

Studentët kanë nisur marshimin e protestës nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit,  Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe njëkohësisht nga sheshi “Nënë Tereza”, për t’u bashkuar përpara zyrës së ministres Lindita Nikolla.

Në protestë kanë dalë studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik.

Protesta e studentëve ka filluar një ditë më parë përpara fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit,  Arkitekturës dhe Urbanistikës, ndërsa sot është zgjeruar me pjesëmarrjen e studentëve të tjerë nga universitetet publike në Tiranë.

Një tjetër protestë studentore është paralajmëruar për ditën e nesërme, e shoqëruar me bojkotimin e orëve të para të leksioneve. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: