PROTESTA E 5 PËRQINDËSHIT – KOMENT NGA EDUARD ZALOSHNJA

PROTESTA E 5 PËRQINDËSHIT – KOMENT NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Protesta studentore nisi kur studentët e arkitekturës lexuan një njoftim të dekanatit, ku shkruhej se ata duhet të paguanin për provimet e mbartura. Një grup i madh i tyre u nis drejt Ministrisë së Arsimit, dhe përmes rrjeteve sociale, njoftuan edhe gjithë studentët e fakulteteve të tjera për protestën e tyre. Shumë shpejt mijëra studentë u mblodhën para Ministrisë së Arsimit dhe u përpiluan katër kërkesa ndaj qeverisë.

Me kalimin e ditëve kërkesat u bënë tetë, por kërkesa e parë, ajo që ishte dhe shkëndija e protestës, u plotësua nga qeveria qysh ditën e dytë. Përgjigjja e Edi Ramës qysh atëherë ka qenë një refren i përditshëm se të gjitha kërkesat e studentëve (madje edhe më shumë) mund të plotësohen duke dialoguar, por kërkesa për shpenzime të arsimit publik në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nuk mund të plotësohet.

Në fakt, pothuaj të gjitha kërkesat e studentëve mund të zgjidhen në mënyrë administrative ose përmes disa amendamenteve ligjore, nën trysninë e protestave.  Përjashtim bën ajo e 5-përqindëshit, e cila nuk zgjidhet dot nën trysninë e 300 studentëve para kryeministrisë apo 200 studentëve që bllokojnë rrethrrotullimin e Zogut të Zi. Ajo kërkon një zgjidhje politike.

Në qoftë se studentët, pedagogët dhe qytetarët që i mbështesin ata duan që buxheti i shtetit të shpenzojë 750 milionë dollarë në vit për arsimin (5% e PBB-së), duhet të krijojnë një forcë të re politike, e cila të hartojë një program serioz mbi mbledhjen dhe shpenzimin e parave publike.

Me programin e vet politik, kjo forcë e re politike duhet të fitojë besimin tek shumica e shqiptarëve se administrata tatimore e doganore që do të ndërtojë do të jetë aq efektive në mbledhjen e të ardhurave sa edhe ajo malazeze. Aktualisht, Shqipëria mbledh të ardhura sa 28% e PBB-së, ndërsa Mali i Zi sa 40% e PBB-së. Gjatë qeverisjes së Metës, Nanos, Berishës e Ramës, niveli i të ardhurave buxhetore është luhatur në intervalin 24%-28% të PBB-së. Në qoftë se një forcë e re politike arrin të ndërtojë një administratë tatimore-doganore aq efektive sa ajo malazeze, në thesarin e shtetit do të futeshin 1.5 miliardë dollarë më shumë në vit. Dhe kështu do të kishte mundësi për rritjen e shpenzimeve për arsimin…

Sipas Bankës Botërore dhe Komisionit të Lartë të Kontrollit, shpërdorohen mesatarisht 1 miliard dollarë në vit nga administrate shtetërore shqiptare, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të saj. Dhe ky është një problem që i ka shoqëruar të gjitha qeveritë (të Metës, të Nanos, të Berishës, të Ramës). Në qoftë se një forcë e re politike arrin të bindë shumicën e shqiptarëve se do të ndërtojë një administratë të aftë e të pakorruptuar, ata mund t’ia japin votën dhe mundësinë për t’i shtuar ndjeshëm shpenzimet për arsimin…

Në qoftë se studentët, pedagogët dhe qytetarët që i mbështesin ata nuk arrijnë të krijojnë një forcë të re, të besueshme në sytë e publikut të gjerë shqiptar, e kanë të kotë vazhdimin e protestës për 5-përqindëshin e PBB-së (kërkesat e tjera ua plotëson Rama). Historia 28 vjeçare e pluralizmit ka treguar se partitë aktuale ndërtojnë një administratë që mbledh më pak para publike seç duhet të mbledhë dhe që e shpërdoron edhe një pjesë të parave që mblidhen. Dhe kjo është një status-kuo që nuk ndryshon dot me protesta simbolike apo me rrotacion partish.

Që të ndryshojë status-kuoja duhet që një forcë e re politike t’u japë dërrmën të gjitha partive ekzistuese...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: