PRONAT/ Shqipëria bëhet me kadastër. Si do të mbyllen çështjet e pronësisë?

PRONAT/ Shqipëria bëhet me kadastër. Si do të mbyllen çështjet e pronësisë?
E pranon vetë qeveria: “Puna e institucioneve aktuale është karakterizuar nga bashkëpunimi i dobët, ose edhe inekzistent. Kjo ka bërë të pamundur rregullimin në thelb të çështjeve të pronësisë. Ajo që e bën akoma më të prekshëm dështimin e deritanishëm është fakti se shteti shqiptar shpesh e ka të vështirë të paraqesë edhe statistika/raporte të sakta mbi ecurinë dhe punën e kryer deri më sot në secilin proces”

Shqipëria më në fund bëhet me kadastër. Institucioni i përfolur se do të disiplinojë çështjen e pronësisë, por edhe i vënë si kusht detyrues nga ndërkombëtarët.

Kjo përcaktohet tashmë me një ligj që veçantë, që qeveria ia ka kaluar Kuvendit. Dhe që së bashku me ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, i cili gjithashtu gjendet në tashmë në duart e deputetëve synon të zgjidhë njëherë e mirë problemin e pronave në këtë vend.

Problem ky, që vetë ekspertët e qeverisë, në relacionin e tij e kanë pranuar se ka mbetur pezull në kohë, pikërisht falë vakuumit ligjor, apo edhe mënyrat joefikase të trajtimit. Por edhe nga fakti se institucionet e deritanishme që janë marrë me pronat nuk kanë vepruar si një e tërë, duke e zvarritur procesin.

“Fragmentimi i punës në një tërësi institucionesh si ZRPP-ja, ALUIZNI, AITPP-ja etj., nuk ka prodhuar rezultatet që priteshin. Asnjëri prej proceseve nuk mund të konsiderohet i përfunduar”, citojnë ekspertët. Duke shtuar sakaq, se edhe gabimet apo pasaktësitë, që kanë shoqëruar regjistrimin fillestar të pasurive, kanë sjellë si pasojë krijimin e një procesi të ri tranzitor të regjistrit pasurive të paluajtshme, e duke e vonuar kësisoj gjithmonë e më shumë procesin e pronësisë, si të tillë.

Në këtë këndvështrim, ata e vlerësojnë si mjaft të dobishëm ngritjen e Kadastrës, e cila do të jetë institucioni i vetëm që do të merret me administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, si dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Këtu futet ligjësimi i ndërtimeve pa leje, proceset e lidhura me tokën bujqësore dhe inventarizimin e pronave shtetërore, të trajtuara me ligj të posaçëm.

“Nuk do të arrihet asnjëherë rezultat në trajtimin e pronës së paluajtshme, nëse do të vijohet me kryerjen e secilit proces në mënyrë të ndarë nga njëri-tjetri. Veprimtaria e këtyre proceseve duhet koordinuar dhe zbatuar në mënyrë të njëkohshme/sistematike në territor”, citon ligji i ri për kadastrën.

 

Afati: Duhet dhe një dekadë kohë të zgjidhet përfundimisht çështja

“Efekti që pritet të sjellë projektligji është konsolidimi i marrëdhënieve të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme dhe arritja e sigurisë juridike në këto marrëdhënie, në një afat 10-vjeçar. Kjo mendohet se do të jetë koha e nevojshme për të përfunduar procedurat e parashikuara në projektligj”. Një pohim i tillë gjendet në relacionin e ligjit të ri “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se në Shqipëri duhet plot edhe një dekadë kohë, në mënyrë që të mund të thuhet se është zgjidhur një herë e mirë problemi i pronësisë si i tillë. Kohë kjo e nevojshme për ligjërimin e akteve të marrjes në pronësi të tokës bujqësore; kalimin në pronësi pa shpërblim të saj, tek subjektet që e kanë atë në përdorim dhe janë përfshirë në procesin administrativ nëpërmjet kërkesës apo që kanë një titull përdorimi; apo edhe rregullimin ligjor, etj. “Gjithashtu, pjesë të rregullimeve që parashikon projektligji janë edhe dispozitat për përmirësimin e hartës kadastrale, që përcaktojnë mënyrën e korrigjimit të pasaktësive apo gabimeve materiale në të, si tjetër çështje madhore që kërkon domosdoshmërisht zgjidhje”, citon ky projektligj.

 

Zgjidhen edhe problemet me pronat që i ka mbartur ndër vite vetë shteti

Një problematikë e theksuar, së cilës pritet t’i jepet zgjidhje me ligjet e reja të kadastrës dhe atyre për finalizimin e çështjes së pronave është detyrimi i papërmbushur nga institucionet shtetërore dhe vendore, për të regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme pronat e tyre. “Kjo ka ardhur në një masë të madhe si pasojë e barrës së lartë financiare, që shkaktonte tarifa e regjistrimit, por edhe si pasojë e neglizhencës së institucioneve për të kryer këtë procedurë kaq të rëndësishme”, pranojnë vetë ekspertët e qeverisë, në relacionet përkatëse, lidhur me një çështje të tillë. Nga ana tjetër, ata sqarojnë se në kuadrin e përmbylljes së çështjeve të pazgjidhura ende të pronësisë me ligjin e ri synohet edhe një regjistrim nga e para i zonave me stimulim turistik. Sikundër, edhe çështja e kalimit të pronësisë mbi truallin e njësive ndërtimore, ku personi i stimuluar përfiton kalimin e pronësisë për truallin e atyre njësive ndërtimore, për të cilat nuk ka hyrë në marrëdhënie porosie, sipërmarrjeje, premtimi-shitjeje, apo kalimi pronësie (shitje, dhurimi, shkëmbimi) me të tretët.

 

Do të hartohet një regjistër i ri dhe i saktë i pronave

“Garantim i një regjistri të saktë dhe të besueshëm të pasurive të paluajtshme, si dhe rritja e efiçencës në kryerjen e proceseve që lidhen me pronën e paluajtshme, si rezultat i koordinimit të tyre nga një organ shtetëror i vetëm”. Kjo konfirmohet në ligjin e ri për kadastrën. Duke shtuar se sa i përket çështjes së përmbledhjes së kompetencave të krijimit të titujve të pronësisë (sipas proceseve të ligjësimit të ndërtesave pa leje, kalimit të pronësisë të trojeve në zonat e stimuluara etj), me ato të regjistrimit të tyre, në një organ të vetëm, “ ky qendërzim është i domosdoshëm për harmonizimin e proceseve të ndryshme me njëri-tjetrin”, të cilët nuk duhen parë si të kundërvënë ndaj njëri-tjetrit, por si etapa të ndryshme për arritjen e të njëjtit qëllim, atë të garantimit të së drejtës së pronësisë mbi pronën e paluajtshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: