PRONARËT "E RINJ" DHE PRONARËT E "VJETËR" - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

PRONARËT "E RINJ" DHE PRONARËT E "VJETËR" - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjatë ditëve të protestave të Astirit, është përdorur gjithnjë e më shpesh shprehja "pronarët e rinj". Kjo, për t'i dalluar ata nga "pronarët e vjetër". Në fakt, po t'i referohemi germës dhe frymës së Kushtetutës, nuk ka pronarë "të rinj" e pronarë "të vjetër". Ka pronarë të ligjshëm dhe pronarë të paligjshëm. Pronarë të ligjshëm janë ata që e kanë blerë pronën sipas ligjeve në fuqi, ose që e kanë trashëgim nga të parët. Ndërsa pronarë të paligjshëm janë ata që kanë ndërtuar në tokën e pronarëve të ligjshëm, të cilën ose thjesht e kanë zaptuar, ose ua ka dhënë shteti në përdorim me ligjin famëkeq 7105.

Dhe kur PD-ja u del tek Astiri në krah pronarëve "të rinj", (nënkupto të paligjshëm), pyetja shtrohet se cila parti duhet t'u dalë në krahë pronarëve "të vjetër" (nënkupto të ligjshëm), mbi tokën e të cilëve do të ndërtohet segmenti i Unazës së Madhe. Sepse pronarëve "të rinj" nuk u ra ajo tokë nga qelli. Ajo ka qenë gjithmonë atje dhe ka patur pronarë të ligjshëm, trashëgimtarët e të cilëve, sot duhet të dëmshpërblehen si nga shteti (për rrugën që do të ndërtojë), ashtu edhe nga pronarët "e rinj", të cilët e kanë shfrytëzuar tokën deri më sot në mënyrë të paligjshme.

Në fakt, Partia Republikane, Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit etj., e kanë ngritur gjithnjë çështjen e ligjshmërisë së pronës. Por këtë çështje, e kanë përdorur kryesisht për të mbledhur sadopak vota. Dhe duke gjykuar nga pesha e tyre elektorale, nuk duhet shpresuar se ato do të jenë në gjendje ta fusin këtë çështje në axhendën parlamentare.

Me pak fjalë, i takon PD-së, si partia më e madhe e vetëquajtur e djathtë, që ta bëjë të vetën këtë kauzë, duke luftuar për çdo centimetër tokë që nuk i është kthyer, apo dëmshpërblyer pronarëve të ligjshëm. Atyre u është mohuar e drejta e pronës qysh nga viti 1945.

Për shembull, qeveria aktuale ka vendosur t'u japë tituj pronësie fshatarëve që kanë marrë tokë bujqësore në përdorim me ligjin 7105 (duke pretenduar se pronarët legjitimë të tokës do të kompensohen gradualisht nga shteti). Por qeveria ka vendosur një klauzolë, sipas së cilës nuk do t'u jepen tituj pronësie atyre fshatarëve që kanë tokë në përdorim në zona ku parashikohen investime strategjike.

Dhe këtu duhet ngritur zëri në mbrojtje të pronarëve legjitimë, të cilët tokën ku do të kryhen investime strategjike e kanë trashëgim nga të parët. Në vend që toka t'u jepet badiava investitorëve strategjikë, (nënkupto oligarkëve dhe kompanive off-shore), mund t'u kërkohet këtyre të fundit që të paguajnë me vlerën e tregut pronarët legjitimë.

Një klauzolë tjetër, që ka parashikuar qeveria aktuale është ajo e mosdhënies së titullit të pronësisë atij fshatari, që ka ndërtuar pa leje në tokën e dhënë në përdorim me ligjin 7105. Edhe këtu duhet ngritur zëri në mbrojtje të pronarëve legjitimë. Fshatarit që ka ndërtuar pa leje në tokën që i takon me Kushtetutë një pronari legjitim, duhet ta dëmshpërblejë këtë të fundit, nëse do që të marrë titullin e pronësisë.

Kuptohet që 350 mijë hektarët e tokës bujqësore, që kishin pronarë legjitimë në vitin 1945, nuk mund të kompensohen dot me dy skemat e mësipërme. Sidoqoftë, një partie të djathtë i takon të luftojë për çdo centimetër tokë, që mund t'i kthehet të zotit. Sepse prej PS-së e partive të tjera të majta, nuk mund të shpresohet se do ta vrasin shumë mendjen për pronarët legjitimë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: