PRAPA STUDENTËVE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

PRAPA STUDENTËVE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ai kishte hyrë në kafen e Bllokut që në mëngjes dhe kishte zënë vend krejt në fund të sallës, i vetëm. Ata që e njohin- e dinë si informator, ose si mesazher, i cili merr e jep të dhëna nga një grup te tjetri. Më shumë njihet si mesazher i atyre që fshihen prapa lëvizjeve politike ose rreziqeve.

Kjo ishte pamja e kafesë dje:

Në korridorin mes tavolinave, një vajzë tundi ajrin e nxehtë të sallës me pallton që i valëvitej nga nxitimi. U ul dy minuta me njeriun në fund të sallës, dhe prapë doli nxitimthi, pa kafe. Këtu të njohin të gjithë, dhe secili secilin... Shumë nga ata bënë buzën si për të thënë: “Ehë, i mori kjo udhëzimet për protestën!”. Vajza që hyri e doli me vërtik, është deputete në Kuvend. Pas atij takimi ajo u shfaq në media dhe deklaroi se “e dorëzova mandatin e deputetit, prandaj më pranoni, studentë!”.

Studentët po protestojnë për uljen e shpenzimeve të shkollimit që prej pesë ditësh. Sapo shpërthyen protestat, politikanët hapen sytë nga qielli me shpresë se ‘po vjen pushteti’. Ndërsa studentët deklaruan se kanë ndaluar çdo politikan që të hyjë mes tyre. Provat e djeshme nga protesta kanë dëshmuar se politika ndodhet brenda studentëve. Protesta herë manipulohet nga një krah e herë nga një tjetër, duke krijuar perceptimin se ‘dikush qëndron prapa”. Sa më shumë të zgjasë, aq më shumë korridore do të krijohen për të dalluar kush fshihet.

Po kush qëndron prapa studentëve?

Ata që pyesin ‘kush është prapa?’ ndahen në tre kategori.

Kategoria e parë: Lëvizja dhe pushteti

Opozita dhe të tjerë, janë në kërkim të ethshëm të pushtetit, por vetë nuk kanë energji që të ‘Lvizin’. Edhe opozita i përket kastës së vjetër politike, mbi të cilën rëndon korrupsioni, padrejtësia, keq- qeverisja; vetë si opozitë nuk mund të votohet. Aq më tepër që në koherencën e bashkimit të PD me LSI , po të mos mbulohet nga disa njerëz të papërlyer, opozita nuk mund tëdalë para publikut. As Unaza e re, as Shkoza, as Bregu i Lumit nuk mund t’ia zbardhnin fytyrën Opozitës, ku ndodhet edhe LSI- tashmë e mallkuar për korrupsionin gjigant.

Politika jo vetëm nuk i shpëtoi banorët që mbetën pa shtëpi, por ua ‘ndoti’ të drejtën që kishin. Dje janë përzënë nga protesta disa banorë të Unazës; është përzënë edhe një nga profesorët e Universitetit që studentët mendojnë se ‘i përket politikës’. Disa përfaqësues të politikës së vjetër po shantazhojnë studentët me qëllim që të hyjnë në ‘kështjellën’ e tyre. Ish presidenti i Republikës, militant i opozitës, i kërcënoi se ‘pa politikën do të izoloheni’. Kryetari i një partie marksiste në opozitë- edhe ky pedagog, - ka bërë përpjekjet për t’u shpallur lider i protestës.

Media po përpiqet ta ndezë protestën si revolucion; dje u përhap një lajm ‘fake’ se ‘populli i është drejtuar Rinasit’ që të mos lejojnë arratisjen e qeverisë... si në Nikaragua...Të gjithë këta janë prapa studentëve, por presin gjahun ‘pushtet’.

Kategoria e dytë: Të veshurit me pushtet

Ata janë prapa studentëve në një kuptim tjetër: Pushteti tenton që protesta të paqtohet sa më parë, qoftë edhe duke bërë disa zgjidhje në favor. Ministre e Arsimit ka deklaruar se ‘studentët kanë të drejtë’, gjë që dëshmon edhe qëndrimin e kryeministrit. Pushteti ka gabuar me pengesat që ka vënë para studentëve për t’u shkolluar. Qeveria doli nga boshti i saj ‘i majtë- socialist’, duke kufizuar numrin e studentëve, në vend që të sillte të rinj pa fund në shkollë dhe deklaronte edhe ‘papunësi të ulët’, siç edhe zakonisht bën e majta demagogjike. Tani qeveria është gati të bëjë lëshimet e kërkuara; aq me tepër që shumica e prindërve të studentëve protestues janë votues të qeverisë socialiste. Mund të ndodhë që të hënën ose një ditë tjetër, qeveria të dërgojë në Kuvend ‘Ligjin e Ri për Arsimin e Lartë’ me ndryshimet e duhura. Qeveria duket se ka frikë para çdo deklarate rreth studentëve,socialistëve iu duket sikur me këtë rast do të humbin ‘babë e bir, nënë e bijë’ për zgjedhjet që po vijnë.... Edhe këtu pushteti qëndron prapa studentëve, por në një sens tjetër.

Kategoria e studiuesve politikë

Vëzhguesit e lëvizjeve politike mund bëjnë ‘kalkulimet’ se çfarë qëndron prapa studentëve... Nga një anë mund të arsyetohet se kërkohej një lëvizje gjallëruese në vendin tonë; në këtë sens më vitale se lëvizja e studentëve nuk ka. Në gjithë Evropën ka lëvizje... Por ka një pikëpyetje: Në Evropë vërshojnë lëvizje djathtiste konservatore; ndërsa lëvizja e Tiranës shfaqet më shumë si majtiste: Lëshohen ultimatume, dhunohen ata që mendojnë ndryshe mes studentëve, përhapen parulla prekëse mbi varfërinë, etj... Vjen pyetja: Nëse pritet të piqet lëvizja, vallë a mund të dalë nga natyra liberale e tanishme dhe të kthehet në konservatore?... Deri tani nuk ka as lider, as program, as slogane të qarta... Kjo e bën më të mundur që gjatë rrugës të orientohet djathtas..., ose edhe më majtas; ku ta dish.

Edhe dilema e dytë: Pse u prenë ‘me thikë’ kontaktet e politikanëve të PD-LSI, të cilët u lëshuan si dema mbi protestën!? Studentët nuk do të mund ta bënin këtë, është barrë e rëndë që t’u presësh rrugën politikanëve të uritur. Këtë e bën veçse një dorë nga kancelaritë e Perëndimit... Lëvizja po tentohet të mbahet e izoluar nga të dy anët... Është ky një argument i mjaftueshëm që krijon bindje se ‘Lëvizja’ po studiohet si një ferment kundër kastave sunduese (establishment) në të dy krahët...

... Diçka ndodhet prapa studentëve. Vajza deputete- jo kot fluturoi në kafe te informatori dhe u zhduk si era drejt studentëve...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: