Petrit Vasili: Festa e ndërrimit të viteve këtë herë e trishtë

Petrit Vasili: Festa e ndërrimit të viteve këtë herë e trishtë
 

Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, në një status në facebook e quan festën e ndërrimit të viteve këtë herë të trishtë për shqiptarët dhe sipas tij fajtorët janë para nesh. Viti i Ri, shkruan Vasili gjithmonë ua ka davaritur problemet për disa çaste shqiptarëve por se këtë vit ndodhi ndryshe dhe trishtimi i studentëve i ka kapluar të gjithë.

Por ai thotë se ‘damka e dënimit s’do mund të vonojë për të ngërdheshurit e nginjur të kolltukëve erëkëqinj të qeverisë’.

Ja satusi i Vasilit:

“Festa të trishta, që nuk i meritojmë!!!

Gjithkund trishtimi e ka bërë të vetën. As festat nuk i kurseu.

Viti i Ri mbetet kryefesta e shqiptarëve.

Përgjithmonë ka qenë momenti kur problemet shtyheshin mënjanë për t’u harruar disa çaste e për të mos u parë për disa të tjera.

Dhe shqiptarët ia kanë dalë t’i kenë këto pak çaste harrese e ç’kujdesje.

Por këtë vit shqiptarët për herë të parë nuk ia dolën dot.

Trishtimi, që kumtohej prej mijëra të rinjve studentë të zëshëm në rrugë e sheshe, por edhe i mijëra të tjerëve të pazëshëm nëpër shtëpi, klube të varfra lagjesh, fshatrash e qytetesh, na kaploi të gjithëve.

Trishtim, që e mbyt buzëqeshjen e cila i shtrëngon buzët dhe një ngërdheshje e egër shfaqet gjithkund.

Fajtorët e trishtimit janë aty përpara nesh me ngërdheshjen e të nginjurit e të arrogantit, të lumtur se jua ka rrëmbyer buzëqeshjen të tjerëve.

Fajtorët janë aty edhe Kryefajtori aty është të zhytur në rehatinë, që kamja jua jep.

E në ndërkohë mijëra të tjerë trishtueshëm ngarendin me qeska gjysmë të boshatisura prej pamundit të varfërisë, që ta vjedh buzëqeshjen e dhimbjen ta jep të shumte e të hidhur.

Njerëz!! Buzëqeshjen e vjedhur ne duhet ta rimarrim për veten e të tjerët.

Damka e dënimit s’do mund të vonojë për të ngërdheshurit e nginjur të kolltukëve erëkëqinj të qeverisë.

Dhe koha ka ardhur!!

Dhe trishtimi i festës do të davaritet!! Dhe gëzimi i fitores së të mirës do të jetë mes nesh”!!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: