PATRIOTËT, TRADHTARËT DHE PANTEONI I NDERIT TË KOMBIT - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PATRIOTËT, TRADHTARËT DHE PANTEONI I NDERIT TË KOMBIT - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Festat e nëntorit mbaruan por treguan edhe një herë që edhe pas 28 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria vazhdon të jetë e ndarë në dysh për etërit e kombit dhe për ata që e drejtuan shtetin shqiptar. Vazhdon t’i ndajë në engjëj dhe djaj, në të mirë dhe këqij, në partizanë dhe ballistë ose më rëndë akoma, në heronj dhe tradhtarë. Edhe pse kanë kaluar afro tre dekada nga vdekja zyrtare e diktaturës, shoqëria jonë vazhdon të ketë pothuajse të njëjtin perceptim për ata që e bënë historinë duke i trajtuar bardhë e zi me të njëjtën njësi matëse si në diktaturë por i ndryshojnë vetëm pasojat që kishin pasardhësit. E tregoi këtë sërish 28 dhe 29 nëntori i këtij vitit por edhe tregoi edhe sjellja e eshtrave nga SHBA në atdhe të Mithat Frashërit. Kishte një mllef gjatë dhe pas ceremonisë së qeverisë sa dukej sikur Shqipëria të ishte ditën e parë pas rrëzimit të komunizmit dhe jo 28 vjet pas saj. Kishte një reagim absurd dhe deri mllef te një pjesë të shoqërisë që ishin të gatshëm të vinin nën akuzë për krime kundër njerëzimit këdo që mbështeste publikisht kthimin e eshtrave të tij. Një listë që niste nga kryeministri Edi Rama që e ideoi aksionin, te organizatorët e ceremonisë, te punonjësit e administratës, diplomatë e deri studiues shkencorë, historianë e gazetarë që miratuan kthimin e eshtrave. Ishte një trajtim negativ për një pjesë a thua se Edi Rama u bë pronar i eshtrave që i varrosi në oborrin e shtëpisë së vet dhe jo kryeministri i radhës që nderoi një personalitet po ashtu siç duhet të bëjë çdo kryeministër që do jetë pas tij. Jam i bindur që një ditë nuk do mbahet mend kush ishte kryeministër që solli eshtrat e Mithat Frashërit, në ç’mënyrë i solli, sa para dha qeveria dhe nëse bëri politikë personale ose jo me kthimin e eshtrave. Por ama do mbahet mend gjatë që më 14 nëntor 2018 eshtrat e shqiptarit të madh që edhe gaboi gjatë Luftës së Dytë Botërore u prehën më në fund pas 69 vjetësh nga vdekja në tokën për të cilin shkriu jetën e tij 69 vjeçare dhe e la me testament.

Ushtria e heronjve që e kanë varrin jashtë

Pas vitit 1990 janë sjellë në atdhe përmes ceremonive shtetërore eshtrat e Faik Konicës në vitin 1995, të Ahmet Zogit në 2012 dhe të Eqrem bej Vlorës në 2014. Por historia e varreve dhe e eshtrave jashtë Shqipërisë të atyre që e drejtuan këtë vend është e trishtë. Nuk besojmë se ka një komb të dytë në Botë që të ketë një “ushtri kaq të madhe të vdekurish”, të gjithë personalitete që e kanë varrin jashtë vendit dhe shtetit për të cilin punuan. Edhe pse e qeverisën këtë vend, 7 kryeministra të vdekur nga 33 që ka gjithë historia e shtetit shqiptar, e kanë varrin jashtë Shqipërisë: Esat Pashë Toptani, Turhan Pashë Përmeti, Shefqet Vërlaci, Fan Noli, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine. Më e rëndë akoma është që 6 kryeministra të tjerë nuk kanë fare varr: Iljaz Vrioni, Idhomeno Kosturi, Xhaferr Ypi, Kostaq Kotta, Eqrem Libohova dhe Maliq Bushati.

Pra ata për të cilën ata shkrinë jetën, me të mirat dhe të këqijat e tyre, me vlerat dhe gabimet, janë zhdukur jo vetëm nga tekstet e historisë por nuk kanë asnjë shenjë. Dhe të mendosh që janë 13 kryeministra, pra që kanë qenë në krye të shtetit. Prandaj sjellja e eshtrave të tyre në atdhe nuk do të thoshte se Shqipëria do ti bënte ata më të mirë apo më të këqij. Historia dhe studiuesit duhet ta thonë hapur se çfarë ishin këta 13 kryeministra, çfarë bënë gjatë ushtrimit të detyrës së lartë dhe çfarë kontributi dhanë për vendin. Por ama një copë tokë për të gjithë ata që firmosën nën titullin “kryeministër” besojmë se është mëse normale. Po aq normale do ishte që të paktën ata kryeministra që nuk janë fare varr të kenë edhe formalisht një pllakë përkujtimore në mënyrë që ky shtet për të cilin shërbyen ti nderojë. Do ishte në nderin e Shqipërisë të nderohej Iljaz Bej Vrioni si kryeministër por edhe si një firmëtar i Proklamatës së Pavarësisë eshtrat e të cilit u hodhën në Osum dhe një pjesë ia hëngrën qentë si ushqim të hedhur nga njerëz padyshim barbarë.

Do ishte nder të silleshin në atdhe eshtrat e Mehdi Frashërit këtij kolosi të mendimit shqiptar që nuk shkruhet në tekste që më 7 prill ishte i vetmi politikan dhe personalitet I lartë që i bëri thirrje kombit për të luftuar fashizmin italian në një fjalim historik në radio Tirana. Që u zgjodh dhe president i konferencës së Pezës dhe që italianët e arrestuan dhe e internuan në Itali. Natyrisht që është e errët periudha e pushtimit gjerman, por dokumentet flasin se duke qenë pjesë e regjencës Mehdi Frashëri kurrë nuk dha një urdhër të sillte pasoja negative për një shqiptar. Madje jo vetëm sipas historianit amerikan Bernd Fischer por edhe dokumenteve historikë dhe kujtimeve Mehdi Frashëri në shumë raste liroi të rinj dhe reja komunistë shqiptarë të arrestuar nga gjermanët.

Nisur nga kjo panoramë trishtuese, mendojmë se ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të sjellë në atdhe eshtrat e kësaj ushtrie por edhe të ndërtojë në Tiranë një panteon nderi për ata dhe për të gjithë ata që punuan dhe nderuan këtë vend. Një panteon që e ideoi i pari Eqrem bej Vlora dhe që e ka lënë me shkrim, madje duke e projektuar vetë atë. Të ketë formën e një obelisku dhe të jetë ndërtuar me gurë nga secila krahinë apo zonë e trojeve shqiptare.

Dhe e gjithë kjo t’i ngjante një mega-operacioni që nuk do të kishte synim nderimin e vetëm kryeministrave por edhe të shumë personaliteteve shqiptarë që me emrin e tyre i dhanë shumë emër Shqipërisë. Ngritja e një komisioni të posaçëm me studiues dhe diplomatë do të bënte të mundur hartimin dhe sjelljen në atdhe të një aradhe të gjatë personalitetesh. Së pari duhet të sjellë nga India në atdhe eshtrat e nënë Terezës, në mënyrë që varri i saj të shndërrohet në një Mekë nderimi ndaj një shqiptareje kaq të madhe por që ne nuk e deshëm sa jetuam në diktaturë.

Shteti shqiptar duhet të bëjë çmos të sjellë në Shqipëri eshtrat e Sami Frashërit nga Stambolli ku ndodhte si ideatori i themelimit të kombit dhe shtetit shqiptar me testamentin e tij të famshëm Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.

Shteti shqiptar duhet të bëjë çmos të sjellë në atdhe eshtrat e Fan Nolit, këtij simboli “high class” të kulturës dhe qeverisjes së shtetit.

Shteti shqiptar duhet të sjellë në atdhe eshtrat e Ernest Koliqit këtij korifeu të letrave shqipe. Duhet të sillen eshtrat e kryeministrave Rexhep Mitrovica dhe Fiqiri Dine. Duhet të sillen eshtrat e Qazim Mulletit emri i të cilit padrejtësisht është përdhosur vetëm e vetëm se ishte antikomunist.

Shteti shqiptar duhet të bëjë çmos të sjellin në atdhe eshtrat e Tajar Zavalanit, këtij gazetari që bëri epokë duke punuar në BBC në Londër dhe që ngriti emrin e Shqipërisë si një profesionist dhe një patriot i mirë.

Në këtë panteon nuk duhet të mungojë një varr simbol në kujtim të Gjergj Fishtës edhe pse eshtrat e tij janë zhdukur po në mënyrën makabre si të Iljaz bej Vrionti.

Natyrisht që e gjithë kjo nuk është e lehtë. Nuk është një proces thjesht transferimi i eshtrave dhe vendosja në një parcelë. Janë të paktën tre çështje kardinale që historanët, studiuesit por edhe vetë Shqipëria dhe shoqëria shqiptare duhet t’i sqarojë për të lënë pas përplasjet, debatet por edhe mllefet që i polli diktatura dhe që fatkeqësisht vijojnë të jenë ekzistente edhe sot.

  1. Luftë çlimtare apo luftë civile?

Deri në vitin 1990 përpjekjet e shqiptarëve gjatë Lufëts së Dytë Botërore ishin vetëm çlirimtare dhe heroike për komunistët dhe tradhtare për ballistët dhe legalistët. Pasi kaluan disa vite rezultoi se nuk kishte qenë dhe aq heroike. Por diskutimi gati u përmbyt kur ithtarët e kundërshtarët e komunistët e cilësuan luftë civile. Më cilin vend të botës që u përfshi në luftë ka këtë çoroditje për një ngjarje si ajo. Ne duhet të jemi krenarë që bëmë resistencë. Që u radhitëm krah koalicionit të madh me SHBA dhe Anglinë dhe luftuam me ato mundësi të tona pushtuesin. Bëmë edhe turpe. Pati edhe bashkëpunime me pushtuesit dhe nuk duhet të kemi droje për ta thënë këtë. Madje, pati që ç’ke me të edhe elementë të luftës civile. Dhe lufta kurrë nuk mund të shikohet bardhë e zi. Komunistët ishte Qemal Stafa dhe Margarita Tutulani por nuk besoj se ka shqiptarë sot që nuk përulet në nder të tyre. Këta dy idealist lanë studimet e larta në Itali dhe erdhën në Shqipëri për të luftuar pushtuesit. Ishin vetëm 22 vjeç dhe u vranë nga pushtuesit vetëm pse ishin pjesë e rezistencës. Turpi nuk është i Qemalit dhe Margaritës por i atyre shqiptarëve që e spiunuan Qemalin dhe Margaritën dhe armët nga të cilat dolën plumbat që vranë ata dy të rinj u shkrepën edhe nga shqiptarë. Ne nuk mund të krenohemi që sidomos në vitin 1944 partizanët dhe komunistët vranë njëri-tjetrin. Por kjo nuk e zhbën luftën. Duhet të jemi krenarë për rezistencën dhe luftën pavarësisht se pas saj në Shqipëri u instalua diktatura. Këtë e ka shpjeguar më së miri Kadri Hazbiu, një nga funksionarët më të lartë të komunizmit, i cili në një moment sinqeriteti tha: U ngjitëm në mal si patriotë dhe zbritëm nga mali si komunistë.

  1. A mund të shquash elementët pozitivë gjatë diktaturës komuniste?

Shqipëria kaloi diktaturën më të egër në 46 vjet dhe një zot e di se si ithtarë dhe pasardhës të saj kanë nisur një aksion për ta glorifikuar. Unë po e them si një shqiptar që ka jetuar afro 22 vjet në komunizëm dhe për fat më shumë jetë i kam pas rrëzimit të atij sistemi. Por, me atë që kam jetuar vetë, me atë që kam lexuar, me atë që kam biseduar, këshilluar kam nxjerrë konkluzionin se vitet ’80-të janë vitet më të varfra në historinë e shtetit shqiptar. Ia kalojnë edhe viteve të Luftës së Parë Botërore dhe viteve të Luftës së Dytë Botërore. E trishtueshme të mendosh se në vitet 80-të mungonte buka, mungonte ushqimi bazë dhe skamja kishte pushtuar vendin. Në shkollën ku studioja në kuzhinë befas po vinte gjalpë gjerman, mish brazilian dhe reçel bullgar. Kur bota kishte shpërthyer nga zhvillimi industrial, Shqipëria lëngonte për bukë. E pra të glorifikosh atë sistem prej të cilit vuajtën 100 mijë shqiptarë nga përndjekja ideologjike dhe që në fund ai sistem solli varfërinë e skajshme, është më kriminale se edhe vetë ai sistem.

  1. Patriotët-heronj dhe tradhtarët e kombit

Heronjtë e saj Shqipëria i ka patur, por të shumtë janë edhe ata që kanë qenë tradhtarë të saj. Radha është e gjatë, por në të ka shumë paradokse. Mithat Frashëri u cilësua kolaboracionist, ndërsa pseudonimi i tij Lumos Skëndo ishte hero. Ahmet Zogu u cilësua tradhtar sepse më 7 prill e la Shqipërinë, por emri i tij ishte edhe në listën e kriminelëve të luftës edhe pse nuk ishte fare në luftë. Për komunistët Faik Konica ishte reaksionar dhe emrin në histori ia fshinë me gomë. Dhe kështu, sindromi i Hamza Kastriotit e ka ndjekur në dekada dhe shekuj Shqipërinë tonë. Por si ka mundësi që ky term e ka ndjekur dhe vazhdon ta ndjekë shqiptarin dhe Shqipërinë edhe në ditët e sotme. Vallë, kaq shumë tradhtarë paska nxjerrë kjo tokë? Se nëse është kështu i bie që duhet të ishim shuar si racë. Mos vallë shumë të ashtuquajtur tradhtarë na i kanë prodhuar të huajt? Në Beograd ndodhen tre rrugë me emra shqiptarësh: Esad Pashë Toptani, Koçi Xoxe dhe Qemal Stafa. Dy të parët zyrtarisht ne i kemi shpallur tradhtarë, ndërsa i treti jo vetëm që është zyrtarisht një patriot hero por disa e vrasjes së tij është edhe dita kombëtare e dëshmorëve. Nisur nga ky mishmash, studiuesit dhe historianët duhet të ndajnë qartë nëse duhet të përdoret më ky term apo jo? Nëse po, kush duhet të quhen tradhtarë dhe cilët jo? Ndryshe ne do të jemi vazhdimisht të futur në një rreth vicioz dhe nga i cili nuk do mund të ndalemi më. E kemi shndërruar në epokal binomin patriotë dhe tradhtarë saqë rrezikohet të krijojmë deri klasën e re, atë të patriotëve dhe tradhtarëve të viteve 2000.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: