PAS ULTIMATUMIT/ Qeveria tërhiqet përpara studentëve, hiqet tarifa për provimet e mbartura

PAS ULTIMATUMIT/ Qeveria tërhiqet përpara studentëve, hiqet tarifa për provimet e mbartura
Qeveria ka vendosur të tërhiqet përpara mijëra studentëve kanë pushtuar rrugën e Durrësit, përballë Ministrisë së Arsimit dhe mijëra të tjerëve që kanë dalë në protestë në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, përmes një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur se do të anulohet Vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton vendosjen e një tarife ndaj studentëve për provimet e mbartura.

Por ministrja Nikolla tha se çështja e tarifave vjetore është kompetencë e vetë universiteteve dhe se nuk mund të negociohej.

Fitorja e parë është pritur me entuziazëm nga studentët, të cilët gjithashtu kanë bërë të ditur se protesta nuk do të ndalet deri në plotësimin e tre pikave të tjera nga kërkesat e tyre.

Më herët, studentët i kishin dhënë një ultimatum qeverisë për plotësimin e katër kërkesave të tyre, duke i dhënë si afat orën 16.00 të ditës së sotme.

Ata kanë kërcënuar se pas këtij afati, protesta e tyre do të shndërrohej në demonstratë proteste.  /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google 

Katër kushtet e studentëve drejtuar MASR:

  1. Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:

Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

  1. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
  2. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
  3. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji i Arsimit të Lartë).

Shpërndajeni me miqtë tuaj: