PARIS-TIRANË, BIEN “JELEKËT”... – OPINION NGA FRROK ÇUPI

PARIS-TIRANË, BIEN “JELEKËT”... – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të dy qytetet ekstremisht të largëta, 15 ditët e fundit i bashkoi “jeleku i verdhë”. Parisi ka gjashtë javë nën protestat e “jelekëve”, ndërsa Tirana vetëm 15 ditë. Nuk dihet nëse ndonjë njeri në Paris ka marrë vesh se në Tiranë po zhvilloheshin protesta sipas modelit të tyre, por këtu, protestues dhe nxitës protestash u krenuan se “po e bëjmë si parizienët”.

Që në fillim, u konstatuan dy dallime të mëdha: E para, se në Tiranë protestuesit nuk arritën të sigurojnë jelekë në ngjyrë të verdhë, por u mjaftuan me ngjyrën portokalli që veshin punëtorët e Bashkisë. Dallimi i dytë, se në Tiranë u krenuan si “jelek-verdhë” (në fakt jelek- portokalli) kush mundi (banorë të lagjes Astir, banorë të “Trenit”; banorë të Shkozës dhe më në fund, studentë... Ndërsa në Paris protestuan vetëm ata që kërkonin të uleshin taksat, fillimisht taksat e karburantit...

Por ç’rëndësi ka. Dita e fundit ishte kjo e shtunë, “jelek-verdhët”e Parisit, sipas AFP, humbën me shpejtësi numrin e tyre në rrugë; dhe në Tiranë gjithashtu, nuk kishte më njerëz në protestë. Trofeu i fundit ishin disa batanije dhe ca sajesa si vakëfe të vogla që lanë studentët para kryeministrisë. As këto, të shtunën, nuk ishin më...

Ndërsa imitimi, edhe pse i parealizuar, mes protestës në Tiranë dhe protestës në Paris, kishte disa pika të përbashkëta:

Në Paris, për taksa, edhe në Tiranë për punë taksash, pagesash dhe tarifash... Mbi boshtin e parasë lëviz gjithë bota. Studentët e Tiranës protestuan për uljen e tarifave dhe për këtë, kryeministri i vendit u tha se “kanë të drejtë”. Edhe në Paris protestuan për taksat e karburanteve dhe presidenti Macron u tha se “kanë të drejtë”.

Dilema të vogla në Paris, dilema të vogla në Tiranë

Këtë të premte “jelek-verdhët” e Parisit e shtynë ditën drejt të shtunës së protestës duke u menduar ku të protestojnë, në Versajë, apo te Harku i Triumfit e diku gjetkë. Gjithë kohës, protestuesit e Tiranës kanë përjetuar dilema ku të “zënë pritë”, para ministrisë, para Kuvendit, para “Zogut”, apo para Kryeministrisë. Shpesh nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin, derisa mbetën njëzet vetë para Kryeministrisë. Parisi dje mbylli Pallatin e Versajës nga frika e ndonjë incidenti dhe policia pastroi kampet e protestuesve.

Përbashkësitë dhe dallimet, njësoj si mes të madhit e të voglit

Parisi është i madhi, sigurisht. Por studentët e Tiranës 2018, guxuan ta krahasojnë veten me “studentët e1968 në Paris”, që në fakt ndryshuan botën. Sidoqoftë, vendi ynëështë aq i vogël para Francës dhe studentët ashtu do të jenë në çdo sens. Në kulmin e protestave në Paris, numri i pjesëmarrësve qe i frikshëm, por edhe egërsia e tyre gjithashtu. Sipas raportimeve në mediat franceze, të interesuarit për protestat mes qytetarëve në gjithë vendin, kapnin shifrën gati 50 për qind të të gjithë francezëve... Paçka se jo gjysma e francezëve ndodhshin në rrugë. Edhe në Tiranë, kulmi i protestës së studentëve u duk si një festë e bukur lirie; u mbush Rruga e Durrësit dhe një pjesë e rrugës “Mine Peza”, emër i një gruaje pezake që ushqeu partizanë dhe dha jetën në Luftën e Dytë. Edhe dita e fundit,e përbashkët: Para Parlamentit, të enjten, ku u mblodh “gjithë Shqipëria”, sipas deklaratës së opozitës, erdhën katër a pesëqind njerëz. Po kështu, nëParis të premten. Numri i protestuesve kishte rënë në 1400 vetë; ndërsa “të interesuarit”për protestën në gjithë Francën ishin vetëm rreth 8.000 vetë...

Tonet e larta revolucionare:

Në të dy kryeqytetet, tonet u ngritën me zjarr. Studentët e Tiranës nuk pranuan të flisnin me kryeministrin, ashtu si edhe “jelek-verdhët” e Parisit që kundërshtuan masat e qeverisë. Në Tiranë, qeveria tha se “do të plotësojë kërkesat”, gjë që nuk u pranua as të dëgjohej nga studentët; edhe në Paris po kështu, por ata hodhën edhe parulla “vdekjeje”. Në Paris, protestuesit nuk zgjodhën lidership, as në Tiranë nuk pranuan “lidership”, së pari për shkak se “nuk i besojnë njëri- tjetrit”. Të dy vendet, (Francë dhe Shqipëri) janë vënë para ngjarjeve të papritura, përderisa nuk ka një lidership për të folur e dëgjuar. Si në Paris, edhe në Tiranë, protestuesit vunë në shënjestër “Një Person”: Në Tiranë, Ramën, ndërsa në Paris, Macron; siç duket për ta bërë ndëshkimin e armikut edhe më vertikal. Në Tiranë, e lidhën Lëvizjen me vitin 1991 kur u rrëzua regjimi i diktaturës; në Paris zotit Macron i kujtuan “gijotinën”. Të shtunën “jelek-verdhët” iu sulën Versajës dhe simbolikisht, u instaluan para shtëpisë së Luigjit 16, ku mbreti ishte vënë në gijotinë.

Dje kishin rënë si “jelek-verdhët” e Parisit edhe “jelek- portokallitë” e Tiranës...

 Cilat janë arsyet e rënies?

Janë tënjëjtat arsye që i bashkuan në të njëjtën ngjyrë e mënyrë: Pa ide, pa lidership, pa dialog, me “vdekje”, pa veshë... As natyra e kohës së gijotinës së Luigjit 16 dhe as epoka e diktatorit Hoxha nuk mund të sillen në këtë kohë...

“Bota” në dy kryeqytetet në distancë të largët me njëri- tjetrin, na tregoi se protestuesit kanë të drejtë, por e drejta jote nuk mund të shkelë dhe frikësojë tjetrin, aq më pak shumicën.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: