Panuçi “fut miq” Totin e Rosin për stolin e Romës

Panuçi “fut miq” Totin e Rosin për stolin e Romës
Eusebio Di Francesco pranë shkarkimit nga Roma. Trajneri i Kombëtares shqiptare në pritje të ofertës zyrtare, për të kërkuar divorcin që mbeti “peng” pas fitores në miqësoren me Uellsin

Aranit Muraçi

Tekniku i Romës, Eusebio Di Francesco, vazhdon të jetë nën presion. Sot përballja me Sausolon, nëse mungon fitorja konsiderohet ndeshja e tij e fundit. Di Francesco e pranon edhe vetë, se pas rezultateve zhgënjyese, mund të shkarkohet. “E dimë të gjithë. Një ndeshje që duhet ta në motivojë. Kur mungojnë rezultatet, atëherë duhet gjetur një zgjidhje.” Mediat italiane raportojnë se trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, shihet si pasues i mundshëm i Di Francesco.  FSHF dhe vetë trajneri, pas lajmit, kanë përgënjeshtruar njëzëri mundësinë që italiani të lërë stolin kuqezi, kur është ende në kontratë (nëntor 2019), ose deri në fund të kualifikueseve Euro 2020.

Por si qëndron e vërteta?

Nga burime pranë kampin kuqezi “Albanian Free Press” mësoi se Christian Panucci ka mbetur tepër i zhgënjyer me reagimet negative në stolin kuqezi. Zhgënjimi i tij ka qenë aq i madh, sa ai ka qenë gati të jepte dorëheqjen pas humbjes me Skocinë, por ishte presidenti Armand Duka, që i dha një shans për miqësoren me Uellsin dhe i shprehu mbështetjen e tij për të vijuar kontratën. Panucci, megjithatë, pas kthimit në Itali, në këtë periudhë pauze të ekipeve kombëtare, ka luajtur kartat për të gjetur një skuadër tjetër dhe për t’i dhënë kështu lamtumirën më të mirë të mundshme eksperiencës në stolin kuqezi. Falë eksperiencës si futbollist i disa skuadrave elitare italiane, Panucci ka qenë në kontakte me emra të njohur, ish-shokë skuadre, fjala e të cilëve ka peshë për vendimmarrjen e klubeve. Dy prej tyre janë Francesco Totti dhe Daniele De Rossi, ish-lojtarët legjendarë të Romës dhe miq të vjetër të Panucci, të cilët ia kanë rekomanduar presidentit Monchi. Megjithatë Panucci mbetet si aktualisht si alternativë e dytë për t’u bërë trajner i Romës, pas Paolo Sousa. Por me angazhimin e emrave si Totti, fjalë e të cilit ka shumë peshë te klubi dhe tifozët, Panucci konsiderohet një kandidaturë në rritje, ndryshe nga Montella, një tjetër kandidat të cilët po i pakësohen shanset për të marrë drejtimin e Romës.

Bazuar mbi zhvillimet e fundit, nëse Roma do t’i bëjë ofertë zyrtare Panucci-t në janar, kontrata që e mban atë të lidhur me kuqezinjtë, nuk i prish asnjë punë për të pranuar që të marrë drejtimin e një prej ekipeve ku kaluar disa vite të rëndësishme në karrierë si lojtar. Klube me buxhete të mëdha si Roma shifra prej 500 mijë euro në formë dëmshpërblimi për prishje të njëanshme të kontratës i konsiderojnë gati të papërfillshme para kontratave me dhjetëra milionë euro për futbolistë të veçantë.. Kjo shifër, nëse kontrata do të prishej në mënyrë të njëanshme nga FSHF, ishte edhe faktori kryesor përse Panucci nuk u shkarkua pas ndeshjes me Skocinë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: