OPINIONI/ Vetingu në politikë, Komisioni i Venecias: Mekanizmi të zgjidhet me dialog në Kuvend!

OPINIONI/ Vetingu në politikë, Komisioni i Venecias: Mekanizmi të zgjidhet me dialog në Kuvend!
Sipas Komisionit të Venecias,  projekt-propozimi kushtetues i opozitës nuk arrin të japë udhëzimet e përshtatshme. Gjithashtu, ky organ shprehet se në mungesë edhe të ligjit zbatues, është e vështirë për Komisionin, për të përcaktuar nëse amendamenti kushtetues është apo jo i nevojshëm dhe një vlerë e shtuar aktualisht në Shqipëri. “Për këtë, - thekson Komisioni, - duhet të vendosë Kuvendi, në një proces dialogu konstruktiv midis palëve politike”

Zbardhet drafti i Komisionit të Venecias për vetingun në politikë, një kërkesë kjo e paraqitur nga opozita.

Ky opinion u është dorëzuar tashmë palëve politike, mazhorancës dhe opozitës. Sipas tij, projekt-propozimi kushtetues i opozitës nuk arrin të japë udhëzimet e përshtatshme.

Ky në fakt është drafti paraprak, i cili gjithsesi do të duhet të miratohet nga mbledhja e Komisionit të Venecias, për të ardhur si vendim përfundimtar nga mesi i muajit dhjetor.

Ndër të tjera, ky organ shprehet se në mungesë edhe të ligjit zbatues, është e vështirë për Komisionin, për të përcaktuar nëse amendamenti kushtetues është apo jo i nevojshëm dhe një vlerë e shtuar aktualisht në Shqipëri.

“Për këtë, - thekson Komisioni, - duhet të vendosë Kuvendi, në një proces dialogu konstruktiv midis palëve politike”.

“I takon Parlamentit shqiptar që të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentin kushtetues, përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, është shprehur Komisioni i Venecias.

Më tej, ekspertët e tij shprehen qartazi se: “për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”.

Kjo duket të jetë mbështetje e fortë për iniciativën e opozitës për vetingun e politikanëve, sepse e konsideron verifikimin me qëllim shkëputjen e lidhjeve me krimin e organizuar, si një mjet legjitim dhe që justifikohet nga situata aktuale në Shqipëri.

Konkretisht, ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen se: “çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri”.

“Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”, përfundon Komisioni i Venecias.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: