Obligacionet afatgjata të qeverisë, norma e interesit vazhdon rënien

Obligacionet afatgjata të qeverisë, norma e interesit vazhdon rënien
Teksa kërkesa e qeverisë për borxh në tregun e brendshëm nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve ka qenë më modeste edhe si efekt i Eurobondit, interesi i tregut për të financuar këtë nevojë mbetet i lartë. Kjo ka bërë që interesi me të cilën sigurohet ky borxh të vijë në rënie, një tendencë kjo e cila vijon prej muajsh dhe që është theksuar edhe më shumë muajve të fundit.

Kështu, të dhënat zyrtare të ministrisë së Financave tregojnë se në ankandin e fundit për obligacionet 7-vjeçare, interesi shënoi normën e interesit prej 5.02%. Ky është interesi më i ulët për to në këtë vit, por tendenca e rënies së këtij interesi vijon prej kohësh.

Në ankandin e parë të këtij viti, ku u emetuan obligacione 7-vjeçare qeveria kërkoi 4 miliardë lekë, por nga tregu u ofruan 3.6 miliardë. Shuma që në fund qeveria pranoi ishte pak më shumë se 3.3 miliardë, me një interes uniform prej 5.86%.

Kurse ankandi i dytë i obligacioneve 7-vjeçare u zhvillua më 7 qershor, ku qeveria shpalli një kërkesë për 3 miliardë lekësh dhe tregu ofroi 3.7 miliardë. Në finale, qeveria do të pranonte 3 miliardë lekë nga tregu me një interes uniform 5.78%.

Më tej, ankandi i tretë ishte ai i shtatorit me një kërkesë prej 2.5 miliardë lekësh, me një ofertë 3.6 miliardë lekë nga tregu por që në finale u pranua nga qeveria vetëm 2.5 miliardë lekë, me një interes 5.45 %.

Dhe në fund, ankandi i fundit i mbajtur në 3 dhjetor për obligacione 7-vjeçare tregon për një interes më të favorshëm dhe për një rënie më të thellë të interesit në krahasim me ankandet paraardhëse me plot 0.43%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: