Ndryshon paga minimale, nga janari bëhet 26 mijë lekë

Ndryshon paga minimale, nga janari bëhet 26 mijë lekë
Me një vendim të posaçëm, Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e pragut të  pagës minimale në vend, me 2 mijë lekë të reja, duke bërë kështu që nga paga 24 mijë lekë ekzistuese, ajo të bëhet 26 mijë lekë

Të gjithë personat që paguhen me pagë minimale në vend, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm 2019, do ta kenë atë në një nivel të ri: prej 26 mijë lekësh të rinj! Një gjë e tillë u konfirmua dje nga qeveria, në mënyrë zyrtare, falë një vendimi të posaçëm që ajo mori lidhur me këtë fakt. Në këtë mënyrë, qeveria ka rritur pragun e kësaj page, e cila deri tani ka qenë në nivelin prej 24 mijë lekësh. Dhe që u rrit para një viti, pas një debati të gjerë ndërinstitucional, por edhe me sindikatat, pasi deri atëherë ajo ka qenë në një nivel më të ulët, vetëm 22 mijë lekë. “Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26.000  lekë”, sqaron vendimi në fjalë i qeverisë. Duke shtuar më pas se kjo pagë do të jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. “Paga bazë minimale orare të jetë 149 lekë. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë”, citon gjithashtu VKM-ja në fjalë. Ndërkaq, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, dhënë së fundmi mbi pagën minimale, rezulton se nga 527 mijë persona të punësuar në rang vendi, rreth 156 mijë prej tyre, ose 29.6% e totalit, paguhen me pagën minimale.  Por megjithë rritjen e re, duhet thënë se sërish, paga minimale e punonjësve të sektorit privat në vendin tonë mbetet e ulët, përballë asaj që aplikohet për punonjësit e sektorit publik, deri në 37.500 lekë që prej datës 1 mars të  vitit të kaluar. Duke bërë kështu që të duket se punonjësit e këtij vendi, trajtohen "ca si të nënës dhe ca si të njerkës". Kujtojmë sakaq, se pragu i ri i vendosur dje nga qeveria për pagën minimale është propozuar nga sindikatat në Këshillin Kombëtar të Punës, kur diskutohej për rritjen e saj, por që atëherë nuk u pranua, duke arritur vetëm në nivelin prej 24 mijë lekësh. “Kërkesa jonë ka qenë për nivelin prej 30%, por kompromisi i fundit është 26 mijë lekë", ka thënë atëherë, lidhur me një fakt të tillë, Kolë Nikolla, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Sipas tij, nuk ka aspak logjikë ekonomike që paga minimale nuk ndryshon prej vitesh, ndërsa biznesit i janë bërë favorizime prej qeverisë përmes paketave të veçanta. Kurse nga ana tjetër, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, ka propozuar që për profesione të veçanta si ai i minatorit për shembull, të ekzistojë edhe një kufi tjetër për pagën minimale. Që të gjitha këto, propozime të cilat në fakt për biznesin nuk janë dukur të favorshme, duke rekomanduar që qeveria ta ndihmojë atë për të përballuar kostot e rritjes së radhës për pagën minimale.

 

KRAHASIMI

Eurostat: Shqipëria, e fundit në listë për nivelin e pagës minimale

Paga minimale në Shqipëri nuk pati asnjë ndryshim gjatë viteve të fundit, duke qenë vetëm 22 mijë lekë dhe për t’u ndryshuar vetëm vjet deri në 24 mijë lekë. Ndërkaq, sipas

Zyrës Evropiane të Statistikave, Eurostat, ekziston një pabarazi e pagave minimale në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera kandidate, mes tyre edhe Shqipëria. Tek ne, Eurostat e konsideron mjaft të ulët nivelin e kësaj page, krahasuar me standardin e jetesës për individin.

Kështu, Shqipëria renditet e fundit në listë, me një pagë minimale prej 180 eurosh, pasuar nga Bullgaria me 260 euro dhe Serbia me 285 euro. Sipas Eurostat-it, me një koefiçent prej 350 pikësh, me 24 mijë lekë në Shqipëri, të paguarit me pagë minimale blejnë vetëm gjysmën e asaj çfarë mund të blihen me një pagë të tillë në Sllovaki dhe Hungari, apo vetëm çerekun e mallrave që mund të blesh në Gjermani.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: