Ndërtimeve po u rriten kostot, pritet rritje çmimesh të banesave

Ndërtimeve po u rriten kostot, pritet rritje çmimesh të banesave
Banesat në Shqipëri, sa po vijnë dhe po bëhen më të shtrenjta, teksa janë në proces ndërtimi e sipër. Duke paralajmëruar në këtë mënyrë një rritje të re të çmimit të shitjes së tyre, në fazën përfundimtare

Banesat në Shqipëri, sa po vijnë dhe po bëhen më të shtrenjta, teksa janë në proces ndërtimi e sipër. Duke paralajmëruar në këtë mënyrë një rritje të re të çmimit të shitjes së tyre, në fazën përfundimtare.

Një dukuri e tillë zbulohet mes shifrave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit rezulton se së fundmi është shtrenjtuar kostoja e ndërtimit në vend.

“Indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e tretë 2018 arriti në 103.6%, duke shënuar rritje me nivelin prej 0.5%, në krahasim me tremujorin e tretë 2017”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it, lidhur me një fakt të tillë. Duke saktësuar me tej, se ajo çka e shkaktoi më shumë një dukuri të tillë ka qenë kryesisht rritja e kostove të transportit.

“Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit “Shpenzime transporti” u rrit me nivelin prej 2.5%”, shtojnë më tej ekspertët.

Për të sqaruar më tej se rritje kanë pësuar gjithashtu edhe kostot që kanë të bëjnë me pagat e punonjësve që punojnë në sektorin e ndërtimit, por edhe ato që cilësohen si “të tjera”, përkatësisht me nivelet prej 2.1% dhe 0.9%.

“Ndërsa rënie ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me nivelin prej -0.6% dhe grupi “Shpenzime makinerie” me -0.2%”, pohojnë gjithashtu ekspertët e INSTAT. Sipas të cilëve, megjithë rënien e këtyre të fundit, rezulton se sërish aktiviteti i ndërtimit si i tillë në vendin tonë vazhdon që të jetë më i shtrenjtë dhe aspak në rënie.

Për të pritur në këtë mënyrë që të kemi një rritje të çmimit të banesave gjatë muajve në vijim, teksa biznesi i ndërtimit i bie që të ketë nxjerrë më shumë pará nga xhepi i tij, për realizimin e tyre. Gjë të cilën në fakt, e kanë paralajmëruar edhe vetë sipërmarrësit e këtij lloj biznesi prej kohësh, që i shtojnë kësaj situate edhe atë të rënduar sipas tyre, nga taksat e larta, që i janë faturuar këtij sektori.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: