
“Ne diskutuam për veprimet e Kosovës për të ecur përpara me transformimin e Forcave Kosovare të Sigurisë në ushtri. Një hap i tillë është në kohë të gabuar. Kjo është në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve nga NATO. Dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e integrimeve euro-atlantike të Kosovës”, tha Stoltenberg pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Aleancës.
Transformimi i FSK-së në ushtri është një nismë që po ecën me shpejtësi në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë më 14 dhjetor tre ligjet që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por pa iu ndryshuar emri.
Në këtë mënyrë, Kosova po zgjidh përkohësisht çështjen e krijimit të ushtrisë, duke mos i dhënë zyrtarisht një emër të tillë.
Nisma është parë me shqetësim në Serbi. Në një dalje për mediat disa ditë më parë, Presidenti Vuiçiç e kishte konsideruar “antikushtetuese”.
Ndërkohë, serbët në Kosovë kanë nisur largimin e tyre nga radhët e FSK-së. /a.a/ Albanian Free Press Online/
Foto: Google