Mbyllet java e 15-të, konfirmohet “humbja e dyfishtë” e Tiranës pas derbit

Mbyllet java e 15-të, konfirmohet “humbja e dyfishtë” e Tiranës pas derbit
Fitorja e Partizanit në derbi ndaj Tiranës, 2-1 dhe humbja e Skënderbeut ndaj Teutës konfirmoi të kuqtë favoritë për titullin kampion, por vuri bardheblutë në një pozitë që u rëndua edhe më shumë pas mbylljes së javës së 15-të.

Kastrioti fitoi ndaj Flamurtarit 1-0, me gol të Okebugwu  në 32’ dhe Kamza  mori një pikë të çmuar në fushën e vështirë të Laçit, në barazimin pa gola, duke mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës. Tirana ndodhet vetëm dy pikë larg zonës së ftohtë, pas humbjes 2-1 në derbi.

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja:

“Pas një fitoreje me Partizanin, vijmë te një humbje me vendin e fundit. Nuk u përshtatëm mirë me terrenin dhe kërkuam të ndryshojmë manovër por nuk doli siç duhet. Në pjesën e dytë lojtarët treguan karakter për tu përshtatur por nuk dolën aty ku duhet me dal. Terreni ndikon pasi nuk ndryshohet manovër brenda një jave, duhet luajtur me topa të gjatë. Duhet të kujdeseshim më shumë për topin e dytë dhe në pjesën e dytë kishte shumë ndërprerje loje. Terreni po, ndërprerje jo dhe ën fund del me humbje pikësh. Ata që startuan, përveç Torasës që është teknik ka edhe shpirt luftarak por sot sakrifikoi pasi tentoi të luante pas një dëmtimi dhe terreni i butë nuk e lejoi të shfaqej. U detyruam të bëja zëvendësim në minutat e para dhe nëse nuk do e bëja, do kishim freski lojën e dytë.

Migen Memelli, trajner i Laçit:

Loja u zhvillua në mesfushë dhe treshja e sulmit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Jemi mundur me goditjet standarde, jemi munduar disa here, por pa qartësi si do të shkonim te goli. Dëshpëruese kur lë pikë me skuadra të vogla, por ky është futbolli. Kam besim tek djemtë. Nuk ka asgjë që nuk shkon te Laçi. Duhen marrë sa më shumë pikë, por ka edhe ditë që skuadra bllokohet për të kaluar në avantazh. Sot jemi përpjekur, por nuk ia dolëm. Nuk shohim skuadrat e tjera, por se çfarë mund të bëjmë me skuadrën tonë. Lojtarët e sulmit nuk na krijuan freskinë në lojë dhe Xhixha dhe Shtubina nuk kërkuan thellësinë. Kundërshtari luajti mirë, duke na izoluar. Kur jemi në vështirësi të rezultatit, gjërat përkeqësohen për ne. Na ngelet si përgjegjësi të përmirësojmë lojën në ndeshjet e ardhshme”.

Stavri Nica, trajner i Kastriotit:

“Ishte moment i bukur dhe i përgëzova djemtë për shpirtin e garës. Shpresoj që kjo ecuri të rritet më shumë. Skuadra ka probleme, por duhet të mbrohemi dhe kjo duhet të arrihet me lojë, me pas dhe elementë të tjerë. Duhet të kemi kurajë, që t’i japim minuta lojtarëve dhe mos ta kemi mendjen te merkatoja me të huaj, që edhe të marrin emër. Dua që lojtarët të ngrihen edhe në taktikë individuale. Edhe lojtarët e huaj nuk duhen nënvlerësuar, pasi kanë shumë nivel dhe luajnë mirë. Kam kërkuar nga skuadra që të njohin parimet në mbrojtje dhe në krah pasi janë përballë dy nga lojtarët më të mirë. Nuk duhej që mbrojtja të ishte e dy personave.”

Ernest Gjoka, trajner i Kamzës:

“Rëndësi në këtë ndeshje të mos humbnim dhe ia arritëm qëllimit. Ishte një ndeshje shumë e egër, shumë e fortë. Mendoj se skuadra i bëri mirë detyrat në fushë nga ana taktike, luajti me disiplinë. Plaku sakrifikoi në lojën mbrojtëse, bëri një punë të dyfishtë, pati raste, por nuk pati fat. Besoj se shumë shpejt do të dalë te goli. Ishte lojë e fortë, çdo top në ajër ishte dyluftim i fortë. Ishte agresivitet sportiv. Po të kishim më shumë qetësi, mund të kishim shënuar me ato raste, por prandaj është loja e bukur, sepse jo gjithmonë ato që duam ne na dalin në fushë. Kjo pikë na duhej patjetër, sepse futbollistët ishin çorodituar nga rezultatet negative. Do të jetë një pikë oksigjen dhe javës tjetër kemi një finale. Jemi në ujëra të turbullta dhe duhet të bëjmë më mirë.”

Kategoria Superiore

Java e 15-të/Sot  

Laçi-Kamza                     0-0

Kastrioti-Flamurtari     1-0

1 dhjetor

Skënderbeu-Teuta       0-1

Luftëtari-Kukësi           0-1

30 nëntor

Partizani- Tirana         2-1

Klasifikimi  

Partizani              34

Skënderbeu        30

Teuta                   28

Kukësi                 27

Laçi                      26

Flamurtari         22

Luftëtari             13

Tirana                 11

Kastrioti             10

Kamza                 9

Shpërndajeni me miqtë tuaj: