KTHIMI I DALLËNDYSHES NË DIMËR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

KTHIMI I DALLËNDYSHES NË DIMËR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Dallëndyshet” politike kanë stinë të ndryshme nga shpendët e pafajshme që presin vetëm pranverën. Madje, mund të thuash se “shtegtarët” e politikës janë aq arrogantë, sa i përcaktojnë vetë stinët.

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka nisur kthimin pikërisht në këtë zemër të dimrit. Kudo që shkon LSI, duket se po kthehet në shtëpi. Tani ka nisur kthimin në Partinë Socialiste, e cila është vatra e saj e parë. LSI, si parti majtiste e spektrit thuajse ekstrem, u shkëput nga gjiri i Partisë Socialiste aty nga vitet 2000 e ca, me sebepin se Partia Socialiste po shkonte si shumë “drejt qendrës”.

Në një “stinë” tjetër, aty nga viti 2009, LSI u kthye krejt në të djathtë dhe u bashkua me “antikomunizmin” që përfaqësohej nga PD. Kjo ishte stinë e shëndetshme pushteti, ku qëndroi deri aty nga viti 2013. Vetëm në “shtegtimin” e vitit 2013, LSI u ndodh në të njëjtën stinë me zogjtë shtegtarë të pranverës. Dita kur LSI u shkëput nga PD dhe u nis drejt PS, ka qenë mes i pranverës, pikërisht 1 prilli 2013... Largimi nga “foleja e vjetër” u krye përsëri në vitin 2017, kur braktisi si PS edhe PD. Në fakt, LSI u detyrua t’i “braktisë” të dy partitë e mëdha. U detyrua, sepse të dyja (PS dhe LSI) e nxorën nga shtëpitë e tyre. LSI u betua se do të bëhej “shtëpia e madhe” e të gjithë zogjve të politikës, por kjo nuk ka ndodhur...

Vendosja e LSI në grupin e opozitës, përkrah PD, nuk mund të zgjaste shumë, LSI është krijuar dhe rritur si parti pushtetërore.

Dhjetori, që sapo ka hyrë, po na jep sinjale se Lëvizja Socialiste për Integrim po kthehet përsëri në folenë nga ku doli që në fillim: Në PS.

Sinjali i parë: 29 Nëntori, dita e Çlirimit të Atdheut, por edhe data 28.

Pse edhe data 28? 28 Nëntorin, si ditë e shpalljes së Pavarësisë, e respektojnë “pa kushte” të gjitha palët politike. Por nuk festojnë së bashku. Kësaj here, PD festoi në kryeqytet, ndërsa gjithë e majta festoi së bashku në Vlorë, ku u shpall pavarësia. Kryetari i LSI, Ilir Meta, që tashmë është President i Republikës, iu bashkua qeverisë 100% socialiste, në Vlorë. Presidenti i Republikës, normalisht, duhet të ketë një axhendë tjetër, veçmas, për ngjarjet e Republikës. Por kësaj here, me zor priti të jetë pranë kryeministrit dhe qeverisë socialiste. Ilir Meta, i LSI, sapo kishte dalë nga një konflikt i egër me qeverinë. Ai kishte refuzuar të dekretonte ministrin e ri të Brendshëm, të emëruar nga kryeministri, duke rrezikuar krizë politike. Ndërsa në Vlorë, priti me lumturi të ishte në krah të qeverisë “Rama”. Fotot dhe filmimet së bashku me Ramën e çojnë imazhin e “zogut shtegtar” në vitet 2013- 2017.

Aq më tepër, që LSI nuk pranon të ndodhet në të njëjtën ditë respekti me PD për 29 Nëntorin, si ditë e çlirimit të vendit. Ndarja mes të majtës e të djathtës në këtë pikë është krijuar si një simbol “me ose kundër komunizmit’. LSI ka braktisur ideologjinë e aleatit PD.

Sinjali i dytë: Mbështetja e fortë e LSI ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Zonja Kryemadhi, kryetare e LSI, çmoi në maksimum kontributin dhe sjelljen politike të kryetarit të Bashkisë Tiranë, ErionVeliaj. Ajo tha se Veliaj “punon për qytetin” dhe se nuk ka lidhje “me grupe kriminale”. Këto dy kualitete janë shtruar si më vendimtarët për të zgjedhur përfaqësuesit në të ardhmen. Veliaj është një socialist, mik dhe bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Rama, për të cilin LSI thotë se e ka “armik”. Mirëpo, kjo kuptohet shpejt se është një demagogji para publikut. LSI me këtë rast do që të afrohet me qeverinë socialiste dhe me Ramën, por duke përdorur Erion Veliaj si “të ndershëm e punëtor”.

Kthimi i LSI drejt PS duket qartë: Kryemadhi, me fjalë të tjera, u deklarua se në zgjedhjet e ardhshme (qershor) për Bashkinë e Tiranës, LSI do të votojë socialistin ErionVeliaj. Me këtë rast, LSI u kthen kurrizin aleatëve në opozitë dhe i kthehet “çerdhes së vjetër”.

Shtrohet pyetja: Çfarë do të ndodhë me “zogjtë” e tjerë shtegtarë, që ndodhen në opozitë? Partitë e vogla opozitare  janë zhveshur nga çdo kapacitet politik dhe ndjehen aq të dobëta, saqë tani për tani nuk mund të fluturojnë.

Sinjali i tretë, që në fakt ishte i fillimit:

Ilir Meta, president, por ndërkohë kryetar “de facto” i LSI, provokoi një konflikt me qeverinë, duke mos pranuar të dekretojë ministrin e Brendshëm. Me këtë rast, ai provoi nëse mund të largohet nga Presidenca si “i persekutuar” dhe të vihet në krye të opozitës. Por këtu nuk gjeti asnjë pikë mundësie. Atëherë, po kaq fuqishëm e ktheu fytyrën nga qeveria “Rama”. Përfundimisht, në bisedën familjare me gruan e tij Monika, që është kryetare “de jure” e LSI kanë vendosur që të “fluturojnë” drejt PS dhe të mos qëndrojnë më në opozitë, ku nuk kanë shpresa për pushtet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: