KTHIM NË EPOKËN “PARA KRISHTIT” – OPINION NGA FRROK ÇUPI

KTHIM NË EPOKËN “PARA KRISHTIT” – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse “dikujt i pengon” siç flitet saktë në Kosovë, nocioni “para Krisht”, atëherë le të nënkuptojmë “para Erës së Re”. Idenë për t’u kthyer atje pse nuk e përballojmë dot këtë shekull, na e ndihmoi kjo protestë e studentëve...

Thelbi i asaj që po çliron protesta është ky: Na duhet t’i kthehemi demokracisë që në rrënjë dhe ta zhveshim nga shumica e parimeve dhe praktikave të saj; ndryshe kemi ngecur para murit. Kjo do të thotë epoka “para Krishtit”, d.m.th. duhet të kthehemi atje ku kemi qenë që në fillesa.

Po të kthehemi, sigurisht do të na mungojë liria dhe jeta moderne. Por përderisa nuk funksionojmë në këto dy shina, atëherë më mirë e nisim nga e para. Ndryshe, po hamë veten dhe njëri-tjetrin.

Shiko çfarë na shpalosi protesta:

1.

Universiteti ha bukën e të verbrit dhe të të vobektit:

Një nga studentët, me një pamje fisniku, por i varfër në palcë dhe i ditur në kulm (me notë mesatare mbi 9), tha se në familjen e tij prej 5 personash punon vetëm babai, sa për bukën e gojës. Ai është i verbër. Por në fakultet (Shkencat Sociale) i kërkojnë 650 mijë lekë në vit e plus e plus. Askush nuk e dëgjon. Ku ta kërkojë “bukën” djali i verbër? Te dekani? Dekani Edmond Rapti, në fakt, ia ka ngrënë bukën dhe jetën të verbrit.

Çfarë bën “monstra”? Profesor Rapti merr në provime gradimi shkencor mbi 40 persona në vit; kur ligji nuk lejon më shumë se 5. Një doktoraturë kushton 2 milionë lekë, shumëzuar për 40, baras 80 milionë lekë në vit, me një dorë. Pastaj ka pasurinë tjetër: Në fakultetin e tij ka emëruar edhe të bijën, Jonida Rapti dhe kunatën Dorina Rapti, pedagoge e Departamentit të Psikologjisë. Gruan, Lida Rapti, e ka “strehuar” pedagoge të psikologjisë në Universitetin e Arteve, edhe pse ka studiuar gjuhë frënge dhe mesataren e notave në universitet, Lida e ka afërsisht 5... Të gjithë këta paguhen edhe nga tarifat e studentit të verbër. Por kryesorja, nga buxheti që jep shteti për universitetin, këta nuk lënë asnjë lek që të shkojë tek “i verbëri” ose studentët e tjerë; i marrin për familjen... Shumica e dekanëve dhe rektorëve “ha njerëz” në këtë mënyrë.

2.

Autonomia u nis për “Demokraci”, por realisht është bërë “Grabitje”...

Atëherë, a të qëndrojmë në ferrin e grabitjeve sa të na hanë të gjithëve, apo të anulojmë autonominë!? Nuk na duhet autonomi me kocka përjashta. Universiteti publik financohet nga qeveria, d.m.th., nga taksat e të gjithëve. Kur pasuria kombëtare shkon në duar të “çakejve” rektorë dhe dekanë, ata shqyhen me njëri-tjetrin dhe asgjë nuk mbetet për jetën dhe shkollimin e studentëve. Në konviktet e universitetit jetohet njësoj si para 4 mijë vjetësh, kur të gjitha nevojat jetike, që nga larja me ujë shiu, kryheshin në natyrë. Atëherë, pse duhet të paguajmë grabitqarët si në shekullin e 21-të dhe të rrojmë “me gjethe” si para Krishtit? Qeveria moderne, sipas autonomisë, nuk ka të drejtë që të kontrollojë paratë e qytetarëve të vet, të cilat ua jep “gangsterëve” në fakultete. Atëherë pse na duhet autonomia?... Ta fshijmë autonominë dhe të jetojmë me nder duke mos na grabitur. Edhe në shoqërinë para-politike ka funksionuar autonomia, mes nesh nuk po funksionoka...

3.

Besimi:

Studentët kanë deklaruar se “nuk dialogojnë me kryeministrin”, megjithëse kryeministrit i kërkojnë zgjidhje... Pak e vështirë për t’u kuptuar kjo, po vallë pse ta kuptojmë?! A jemi për t’u kthyer dymijë vjet të kaluara? Atëherë, le të jetojmë si atëherë, pa kuptim modern mes njëri-tjetrit. Studentët thanë (dhe thanë një ide Nobel) se “nuk i besojmë njëri-tjetrit” për të dërguar përfaqësi te kryeministri. Përfaqësitë, sa herë janë ngritur mes nesh, nuk kanë përfaqësuar më grupimin nga kanë dalë. Sapo i janë afruar pushtetit ose pasurisë, përfaqësuesit janë zhytur aty. Ja shikoni. Deputetët zgjidhen në popull, por pa pëlqimin e popullit, zgjedhjet janë “fake”. I zgjedh partia dhe së bashku në parti ndërtojnë “ku-klus- klan, mafie, klikë”, të cilët hanë jetën e popullit që i zgjodhi. Kuvendi dhe partitë janë kthyer si “çerdhe” hienash, ku hanë njëri-tjetrin. Populli nuk beson më te partitë, as te parlamenti, as te qeveria, as te politikanët... Edhe njëri-tjetrit nuk i besojnë; shoqëria është inkriminuar bashkë me pushtetin... Atëherë?... Kthehemi njëzet a tridhjetë shekuj të kaluar, nëse një ditë tjetër mund ta nisim nga e para. Nuk funksionon përfaqësimi, as besimi.

4.

Paplotësia e studentëve:

Studentët vunë në përdorim intuitën dhe zbuluan se këtu “duhet kthim te fillesa”; pse t”u kërkojmë atyre që të vënë në punë edhe dituritë?... Intuita iu funksionoi deri te “tarifat”, të kushtet e konviktit, te hajdutëria e dekanëve dhe rektorëve...

Mjaft edhe kaq. Studentët nuk mund të ishin të kulturuar, as të ditur, as mund të kapin “demin nga brirët”, përderisa janë me bark bosh. I kanë rrjepur, ç’tu kërkosh?! Ky është në fakt ferri i vërtetë: që studentët dhe pastaj elitat, janë bosh. Nuk ka më ide, nuk ka klas, nuk ka art, novacion, industri... Por aq më mirë, përderisa do të kthehemi te fillesat, që edhe studentët të nisin të ushqehen e të shkollohen mirë...

Shënim: Shkrimet e rubrikës “Opinion” janë qëndrime personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e “Albanian Free Press”. Personave që përmenden në shkrim u jepet e drejta e reagimit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: