Krijimi i Forcave të Armatosura, SHBA mbështet planet e Kosovës

Krijimi i Forcave të Armatosura, SHBA mbështet planet e Kosovës
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, deklaroi ditën e sotme se shndërrimi i i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran e i pavarur të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës në ditën kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ritheksoi paralajëmrimin kundër planeve të autoriteteve në Prishtinë për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të saj.

“Uashingtoni vazhdimisht e ka mbështetur zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë para; kemi kaluar shumë kohë në trajnime; kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Po ashtu, udhëheqësit e Kosovës kanë folur se si Forcat e Armatosura të Kosovës do të mund të merrnin pjesë në operacione paqembajtëse jashtë vendit; se Kosova ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, ajo mund edhe t’i kontribuojë asaj. Kjo e tëra është e mirëseardhur”, u shpreh Ambasadori.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha më herët të enjten se projektligjet për ushtrinë do të hidhen për miratim në parlament më 14 dhjetor dhe ky është vendim sovran në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Beogradi ka reaguar me zemërim ndaj këtyre planeve, madje kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha të mërkurën se “përdorimi i ushtrisë” është një nga mundësitë nëse Kosova vazhdon me planet për formimin e ushtrisë së saj, që sipas Beogradit mund të drejtohet kundër pakicës serbe.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: