KONFERENCA E FUNDVITIT/ Çfarë tha sot Rama për Braçen, Veliajn, Tahirin, ministrat, ish-ministrat dhe oligarkët

KONFERENCA E FUNDVITIT/ Çfarë tha sot Rama për Braçen, Veliajn, Tahirin, ministrat, ish-ministrat dhe oligarkët
Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë në konferencën e fundvitit përpara gazetarëve.

Sipas Kryeministrit, ekonomia është rritur, shqiptarët jetojnë më mirë dhe blejnë më shumë.

“Fuqia blerëse është rritur. Shqiptarët jetojnë sot më mirë se sa dje pavarësisht se nuk jetojnë sot aq mirë sa me të drejtë duan dhe sa ne me gjithë fuqinë tonë përpiqemi. Është një rritje ekonomike cilësore pasi ka ardhur si pasojë e rritjes së balancuar të konsumit. Ekonomia shqiptare sot është shumë më konkurruese se 5 vjet më parë gjë që e fakton një mori shifrash. Eksportet kapën vlerën 30% më shumë këtë vit se sa 5 vite më parë”, tha Rama.

Në përgjigje të pyetjeve, Kryeministri ka marrë në mbrojtje ish-ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.

Duke folur për rastin e tenderit të Unazës së Re, Rama tha se akuzat për korrupsion dhe korrupsioni janë dy gjëra të ndryshme. Sipas Kryeministrit, kompani që hyjnë më letra të falsifikuara në tendera ka në gjithë botën, dhe një ministër nuk gjykohet nga kjo, por gjykohet nga mënyra si reagon kur fakti konstatohet

“Gjiknuri nuk është shkarkuar, është zëvendësuar në kuadër të atyre nevojave dhe qëllimeve që i kam bërë publike, por ka bërë një punë transformuese për aq pak kohë sa pati. Nuk vidhen më dritat në Shqipëri, sot kemi një transformim rrënjësor në sistemin energjetik. Kush e bëri? Janë bërë nën drejtimin e Damian Gjiknurit”, tha Rama.

Duke folur për zëvendësin e tij të ri në qeveri, Rama e paraqiti Erjon Braçen si personin që e kundërshton më shumë se të gjithë.

“Jam një person që dëshiroj të punoj e rrethohem nga njerëz që janë dakord me mua për gjithçka. Braçe është një provë fantastike që rrëzon këtë propagandë se si i shikoj unë marrëdhëniet me bashkëpunëtorët. Ajo që shihni në debate në televizor, është 1 e 100 e asaj që ndodh ne debatet tona të brendshme. Jemi një familje që kundërshton e bëjnë mirë dallimin mes qëllimit të përbashkët. Nuk ka ndan programi, na bashkon programi, qëllimi vizioni por ka debate për mënyrën më të mirë të realizimit të programit”.

Rama tha se ministrat e rinj “janë më me eksperiencë sesa ata që u larguan, kur ishin në ditën e parë të qeverisë”, duke pranuar se jo të gjithë vijnë nga radhët e Partisë Socialiste.

“Askush prej tyre nuk vjen thjesht nga bankat e opozitës apo politikës, por nga eksperienca të mirëfillta pune... Kam besim që puna do të tregoj dobinë e gjithë këtyre zgjedhjeve. Në çdo rast ata këshilltarët publik do të bënin punën e tyre po të ishin ‘politikë’ do thoshin; ‘ku janë ata që janë pa parti’. Ata që janë zgjedhur për qeverinë e re, janë njerëz që kanë kapacitete të mëdha, por sens përkatësie ndaj vizionit dhe programit”, tha Rama.

I pyetur për emërimin e ish-ministrit të Financave Ridvan Bode në bordin e Bankës së Shqipërisë, Rama konfirmoi se ajo ishte zgjedhje e tij personale.

“Ridvan Bode është propozuar nga unë në funksionon të vizionit dhe qasjes që besoj unë e ka me Bankën e Shqipërisë. Është propozuar si personalitet që vinte dhe vjen nga radhët e opozitës dhe jo tonat, nga radhët e kundërshtarëve. Kur propozon nga radhët e tua është problem, po ashtu edhe nga opozita. Zgjedhja e Bodes është e thjesht. Pastaj kujt i dedikohen çmenduritë e bëra në kohën e PD, s’ja vlen të flasim se nuk është kjo tema”, tha Rama.

Ndër “çmenduritë” që Rama kishte akuzuar Boden në të kaluarën ishte “humnera financiare” që ish-ministri i kishte lënë “peshqesh” qeverisë Rama në vitin 2013.

Kryeministri u përgjigj edhe për çështjen e Saimir Tahirit, duke përsëritur se ai është i pafajshëm, por që gjithsesi nuk është më pjesë e Partisë Socialiste.

“Kam vetëm një përgjigje për ju; kërkojini falje për ça i bëtë, pasi jua dhanë juve faktet ata dy të zullumit, që mbushët dynjanë me lajme. Kërkojini falje pastaj shohim të tjerat. Kërkojini falje pasi Antimafia Italiane dhe prokuroria e Katanias i shkoi në fund atij hetimi dhe iu nxirri fillin atyre muhabeteve se ato përgjigje ishin kazan. E tha Prokuroria Katanias dhe jo unë. Për atë kazan ju kërkuat llogari që pse nuk i hoqëm imunitetin. Deri në fund drejtësia s’ka thënë fjalën e fundit. Tahiri nuk është pjesë e familjes tonë politike”, u përgjigj Rama.

Ndërsa për kryebashkiakun e Tiranës, Rama kishte një përgjigje ironike, duke e cilësuar” kreun e një komploti”.

“Ka një komplot në PS. Jam i shqetësuar për këtë. Është një lëvizje konspirative. Jemi duke menduar për një gjyq popullor edhe për dënime të rënda, shumë të rënda. Internime, punë të detyruar, dhe nuk diskutohet që koka e këtij komploti është kryetari i bashkisë së Tiranës. Ai është në krye të komplotit, mbështetur nga ish-ministri (Xhafaj). Ka edhe emra të tjerë, por po hetojmë për këto lidhje. Dyshohet shumë edhe për përfshirje të institucioneve të tjera në këtë konspiracion. Ka të dhëna që ka edhe një studim shkencor të Monika Kryemadhit për goditjen me sukses të konspiracionit. Më vjen keq që më kapët gafil. Veliaj mund të dalë në tv sa herë të dojë, të mbjellë pemë, por ndonjë ditë do të varet tek ato pemë. Kjo do të pasqyrohet edhe në veprën time 21”.

Rama është ndalur edhe tek akuzat si “qeveri e oligarkëve”, duke “argumentuar” se kompanitë e mëdha sot po fitojnë më pak.

“Dy fjalë për të mëdhenjtë, sepse propaganda dhe tam tamet e përditshme kanë synuar ta pikturojnë qeverinë tonë si qeveri e oligarkëve. Tam tamet kanë arritur të përçojnë një mesazh të gënjeshtërt ndërsa faktet flasin ndryshe. Kompanitë që paguajnë mbi 8 milionë lekë në vit, janë rritur dhe pesha që zë fitimi i përbashkët me kompanitë e tjera, rezulton se është në rënie me 30 % të fitimeve në krahasim me 2013 dhe 20% në krahasim me 2017. Do të thotë se po të shkojmë të 100 kompanitë më të mëdha kundrejt fitimit të gjithë kompanive së bashku janë në rënie”, tha Kryeministri. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: