KALENDARI EURO 2020/ Shqipëria, “shtëpinë e re” e inauguron me Moldavinë

KALENDARI EURO 2020/ Shqipëria, “shtëpinë e re” e inauguron me Moldavinë
Me Moldavinë më 11 qershor 2019 është planifikuar që të inaugurohet stadiumi i ri i Kombëtares në Tiranë, në një ditë feste për kuqezinjtë që premtojnë fitoren për kualifikimin e dytë historik 

Aranit Muraçi

Me Moldavinë më 11 qershor 2019 është planifikuar që të inaugurohet stadiumi i Kombëtares. Pas shortit që u hodh dje në Dublin dhe pasi u mësua me rrugëtimin që do të ketë Kombëtarja kuqezi, përgjatë eliminatoreve, në muajin qershor kur është planifikuar që të jetë gati stadiumi, Shqipëria do të luajë brenda vetëm një ndeshje: atë ndaj Moldavisë.  Presidenti i FSHF-së Armand Duka vizitoi punimet gjatë javës së fundit dhe konfirmoi se stadiumi do të përfundojë në muajin mars, kohë edhe kur do të luhet ndeshja e parë e Shqipërisë brenda fushës së saj, por shihet thuajse e pamundur që në këtë muaj “Arena Kombëtare” të hapë dyert për të pritur ndeshjen e parë zyrtare.

Gjithsesi, të gjithë prisnin që kalendari të rezervonte deri në muajin qershor ndeshjen e madhe ndaj Francës, për të inauguruar stadiumin bashkëkohor me mysafirë të veçantë: kampionët e botës në fuqi. Stadiumi ka një kapacitet prej 24 mijë vendesh dhe ka kushtuar plot 50 milionë euro, ose gati 10 herë më shumë se ai i Elbasanit. Do të jetë sërish “Elbasan Arena” shtëpia e kuqezinjve në përballjen e parë me Turqinë, në muajin mars, por nuk do të jetë më tej stadiumi i parë apo i dytë për të pritur ndeshjet e Kombëtares. Por “Albanian Free Press” mësoi se edhe pse ende jo zyrtarisht, nga autoritetet shqiptare Moldavia  është parë si kundërshtari i duhur për inaugurimin e stadiumit. Moldavia shihet si kundërshtari i duhur për të arritur një fitore, që do të mbante gjallë shanset e Shqipërisë për kualifikimin e dytë historik në Euro 2020, dhe fitorja do t’i bashkëngjitjes festës kuqezi në një ditë të veçantë siç është edhe të .

Shorti për eliminatoret e Euro 2020-ës e pozicionuan Shqipërinë në grupin H, së bashku me Francën, Turqinë, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.  Kalendari i përcaktuar pas hedhjes së shortit në Dublin ka rezervuar brenda në shtëpi dy ndeshje radhazi për kuqezinjtë: ndaj Andorrës dhe më pas ndaj Francës, ndeshje që do të mbyllin rrugëtimin e kualifikueseve “Euro 2020”. Dhe ndoshta me mbështetjen e mbi 20 mijë tifozëve në ish-stadiumin historik të Kombëtares që mbajti për shumë vite emrin “Qemal Stafa”, Shqipëria do të luftojë deri në sekondat e fundit me ëndrrën e madhe të kualifikimit të dytë për në finalet e një eventi të madh, siç konsiderohet Europiani.

 

Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë

Shqipëri-Turqi -  22 Mars 2019

Andorra-Shqipëri - 25 Mars 2019

Islandë-Shqipëri  - 8 Qershor 2019

Shqipëri-Moldavi - 11 Qershor 2019

Francë-Shqipëri - 7 Shtator 2019

Shqipëri-Islandë- 10 Shtator 2019

Turqi-Shqipëri - 11 Tetor 2019

Moldavi-Shqipëri- 14 Tetor 2019

Shqipëri-Andorra - 16 Nëntor 2019

Shqipëri-Francë - 19 Nëntor 2019

Shpërndajeni me miqtë tuaj: