JANARI VJEN NË MJEGULL – OPINION NGA FRROK ÇUPI

JANARI VJEN NË MJEGULL – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E vetmja pikë e qartë ‘në qiellin’ e vitit është fokusi i Shteteve të Bashkuara mbi aktin e Shqipërisë për dëbimin e agjentëve. Shqipëria, mes mjegullës së grindjeve për ‘varfëri’, ‘korrupsion’ ‘trafiqe’, ‘krime’, etj., doli garant për sigurinë e vet e rrezikuar nga agjentët Islamikë të Iranit; por duke ndihmuar edhe sigurinë evropiane.

Të tjerat duken si mes ‘qiellit e tokës’. Një grup studentësh që kanë ngritur ‘botën më këmbë’ kanë premtuar se nuk do t’i pushojnë protestat as në janar..., as shkurt, as mars...

E gjitha është një mjegull.

Ta nisësh nga fillimi: Protesta të mjegulluara.

Nëse proteston për një gjë (studentët protestojnë për tetë kërkesa), atëherë pret plotësimin e kërkesave që ke bërë; këtu varet mbarimi. Studentët parashikojnë protesta pa fund, edhe ‘sikur kërkesat të plotësohen’. Këtë nuk e kupton askush. Por me sa duket gjërat i akne futur vetë në ‘moskuptim’. Duket se studentët vetë i kanë lënë qëllimisht disa gjëra të varura në mjegull: A janë ‘paqësorë’, apo ‘radikalë’?; a projektojnë parti politike apo mbeten me kaq?, cilët janë më të fortë brenda protestës: ata që duan shkollën, apo ata që duan të mos mësojnë?; a do të pushojnë për festa, apo edhe në festë do të ketë protestë?... Mjegulla e protestës mund të bëhet perde për të fshehur ndërhyrje të shumta që nga nuk priten.

Mjegulla mbi universitetet dhe qeverinë.

Qeveria ka premtuar se do t’i plotësojë kërkesat e studentëve, por duke shtuar se ‘vetëm tetë pika’ nuk e zgjidhin problemin. Në fakt, çështja e universiteteve është çështja më e madhe para kombit; universitetet ndodhen në gjendje të mjeruar, aty zhvillohet krimi më i madh. Jo vetëm pse kombit po i përgatitet një e ardhme pa ekspertë, pa shkollarë të shkolluar, pa mendje të ndritura... Por krimi konkret: Fondet publike që jep shteti për universitetet vidhen nga ‘shenjtorët’. Them ‘shenjtorët’ sipas perceptimit se ‘mësuesi im është shenjt’. Por profesorët, rektorët, dekanët, shefat e departamenteve dhe shefat e tjerë, fusin në xhepat e tyre fondet nga shteti dhe thërrimet e dhëna nga prindërit e studentëve. Krahasimi: Universiteti i Tiranës harxhon 6 milionë euro për tenderët e rojeve, por asnjë lek për kërkimin shkencor... Si do të shërohet ‘kolera’? A do të abrogohet ligji? A do të bëhet qilizmë ‘toka’ e universiteteve dhe të përgjigjen e të largohen të gjithë ata që janë sot? A mund ta bëjë qeveria?... Epo, ndryshe nuk ka zgjidhje, ka vetëm mjegull.

A do të ketë politikë të re, apo kjo e ‘kastave’ përjetë?

Studentët protestues kanë thënë se ‘mund të krijojmë lëvizje të re politike’. A janë të qartë për këtë? Më e qarta është kërkesa e kohës: Evropa po ndryshon, Shqipëria është i vetmi vend në qytetërimin modern ku nuk ka forcë politike të re, as kundër kastave, as të djathtë, as konservatore. Kombet e Evropës kanë hyrë në rrjedhën e ndryshimit kundër establishmentit dhe kastave të vjetra... Po nëse studentët qartësohen për ‘lëvizje të re’? Atëherë varet sa do t’i lejojnë nga jashtë dhe nga brenda. Një pjesë e studentëve kanë ‘shpëlarë trurin’ dhe janë ushqyer fizikisht në kazanët e LSI në Jalë për shumë vite. Socialistët e tjerë dhe Demokratët nuk kanë interes për ‘lëvizje të re’, ata që ndodhen në pushtet prej tre dekada duan edhe tre dekada më shumë. Po vetë studentët, si mendojnë politikisht?... Si liberalë?, si konservatorë?, si marksistë?, si sovranistë?, si libertarianë?... Nëse do të përplasen për orientimin, atëherë edhe një paqartësi tjetër krijohet brenda përbrenda ‘brezit të shpresës’...

Ata kanë nuhatur diçka brenda vetes kur thonë se ‘këtu në rrugë do të jemi edhe në Janar, edhe në Shkurt, edhe në Mars”...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: