Ikën Gatuso? Venger dhe Conte, për stolin e Milan

Ikën Gatuso? Venger dhe Conte, për stolin e Milan
Pas barazimit 0-0 me Frosinonen dhe lojës së dobët pritet të zyrtarizohet largimin e trajnerit të Milan

Aranit Muraçi

Trajneri Gennaro Gattuso në prag shkarkimi.

Milani i tij ndalet në fushën e Frosinone, teksa ndeshja përfundon me një zero-zero të trishtueshëm.

Asnjë rrezik para portës kundërshtare dhe ide të pakta. Milan tani zyrtarisht është zhytur në rrëmujë.

Minuta të gjata loje sterile, hapa të panevojshëm, repartet vite dritë larg nga njëri-tjetri.

Dhe në gjithë këtë situatë, Gonzalo Higuain vazhdon të mos shënojë: kriza e tij është gjithashtu shqetësuese.

Një katastrofë për Milanin, që mund të kishte humbur nëse nuk do të ishte “falur” nga Var, i cili anuloi rrjetën e vetme të ndeshjes, kur shënoi në ‘39 të pjesës së parë, Ciano.

Goli u anulua, për një faull në mesfushë nga Calhanoglu.

Me pak fjalë, kuqezinjtë mund të dilnin edhe më keq, sepse lojtari më i mirë në fushë i tyre ishte portieri Gianluigi Donnarumma.

Shkurtimisht, një katastrofë e plotë: mos harroni se me këtë barazim, Frosinone, ngjitet në 10 pikë, edhe pse mbetet e parafundit në renditje.

Gattuso pranoi situatën dhe mori përgjegjësitë pas ndeshjes.

“Duhet të jemi më të saktë dhe të mos shpërdorojmë shanset që krijojmë. Nuk është çështje e fatit, nuk jemi të saktë dhe ky është faji ynë. Çfarë u thashë djemve? Të njëjtat gjëra që po ju them. Duhet të mësohen të shënojnë!”.

Lidhur me shkarkimin ai shtoi: “Jam i shqetësuar për ekipin, jo për të ardhmen time. Unë marr përgjegjësinë për këtë situatë.”

Mediat italiane raportojnë se në janar Milan do të ketë një trajner të ri.

Më i cituari është Arsen Venger, ish-trajneri i Arsenalit, që pret një përvojjë të re, e para për të në Serie A.

Një emër tjetër, ai i Francesco Guidolin: një emër jo i shquar, por është shumë i lidhur me presidentin Paolo Scaroni.

Dhe i treti, rruga e fundit, të çon te Antonio Conte, ish-Juventusi pak i dashur nga tifozët e Milan, por që me siguri do të ishte emri më i fortë në përpjekje për t'u rindërtuar kuqezinjtë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: