Haradinaj: Për formimin e Ushtrisë së Kosovës janë zhvilluar biseda me të gjitha palët e interesuara

Haradinaj: Për formimin e Ushtrisë së Kosovës janë zhvilluar biseda me të gjitha palët e interesuara
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi për mediat se krijimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka të bëjë me militarizim të vendit, por kjo sipas tij është një propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë.

“Nuk i dedikohet krijimi i ushtrisë sulmit në veri, është gënjeshtër e tyre ashtu siç dinë t’i bëjnë dhe bëjnë gabim që frikësojnë popullin serb. Ne do të ndërmarrim veprime sqaruese për serbët e Kosovës. Dje isha në Plemetin, do të shkoj në çdo vend të Kosovës që të sqaroj që propaganda që u jepet nga Serbia është e qëllimshme, e rrejshme dhe viktimizon serbët”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se Serbia po bën përpjekje në mënyra të ndryshme për të paraqitur Kosovën si vend jo normal. Ai tha se për formimin e Ushtrisë së Kosovës janë zhvilluar biseda me të gjitha palët e interesuara.

“E vërteta është që aleanca e NATO-s po ashtu ka peshë të madhe në mendime të veta në ato që i shprehë për Kosovën dhe është prezente në Kosovë, mirëpo Kosova është e sigurt që nuk do të sjellë asnjëherë në rrezik marrëdhëniet me aleancën e NATO-s. Ne ende nuk kemi aplikuar për anëtarësim në NATO dhe kur të aplikojmë është shumë me rëndësi që të kemi sqarimet e duhura për secilin vend anëtarë të NATO-s”, vijoi ai.

Marrë nga VOA

Shpërndajeni me miqtë tuaj: