GREQI/ Plumb në shpinë, ekzekutohet futbollisti 18-vjeçar shqiptar në qendër të Kavallës

GREQI/ Plumb në shpinë, ekzekutohet futbollisti 18-vjeçar shqiptar në qendër të Kavallës
Një 18-vjeçar shqiptar është ekzekutuar në orët e vona të natës në qendër të qytetit të Kavallës në Greqi.

I riu, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte rritur në Greqi dhe aktivizohej me ekipin e futbollit të Heracles në Kavala.

Shqiptari është qëlluar me një plumb në shpinë dhe është gjetur në rrugë nga njerëz që kishin dëgjuar dy të shtëna.

Në dorën e viktimës u gjet një kartmonedhë 50-euroshe, ndërsa kishte me vete një sasi të madhe parash.

Një gëzhojë është gjetur në vendin e krimit ndërsa më tutje, në një bllok banesash, është gjetur edhe arma me të cilën mendohet se është kryer vrasja.

Dyshimet janë se ekzekutimi është bërë nga një qitës profesionist, ndërsa mediat greke shkruajnë se nuk përjashtohet pista e larjes së hesapeve për shkak të shpërndarjes së drogës.

18-vjeçari ,kishte mbaruar gjimnazin në Kavalla dhe kishte filluar këtë vit studimet e larta.

Një person është shoqëruar në polici për të dëshmuar për ngjarjen, ndërsa ende nuk ka të arrestuar për vrasjen.

Në policinë e Kavallës kanë shkuar edhe prindërit e viktimës, për të dëshmuar për lëvizjet e ditëve të fundit të 18-vjeçarit dhe dyshimet e tyre për autorin e mundshëm dhe motivin e krimit. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: