Goditet grupi i “minave me telekomandë”, dy në pranga

Goditet grupi i “minave me telekomandë”, dy në pranga
Një grup që prodhonte dhe trafikonte mina me telekomandë u godit sot në Krujë.

Si pasojë e një operacioni policor kanë përfunduar në pranga dy persona, pasi dyshohet se trafikonin lëndë plasëse dhe mina me telekomandë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Muzgu”.

Si rezultat janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” e kryer në bashkëpunim, konkretisht:

  • Artan Bruka 38 vjeç, banues në Kukës;
  • Halil Gjana 26 vjeç, banues në Kukës.

Mbi bazën e informacioneve të  marra në rrugë operative nga ana e Strukturave policore se shtetasit e mësipërm trafikonin lëndë plasëse, në momentin e arrestimit të tyre në Thumanë, brenda një çante në ngjyrë të zezë i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

tre kallëpe cilindrike të mbështjellë me letër kartepecete dhe natriban transparent,  ku ishin të vendosura tre kapsolla detonatore të lidhura me tel përcjellës të kapura me natriban, ku në anën tjetër ishin të bashkuara me dy aparate celularë të markës “Nokia”.

Kallëpet ishin me peshë rreth 225, 240 dhe 469 gr secili.

Sipas informacioneve këto mina me telekomandim, mund të perdoreshin në kryerjen e  veprave të renda kriminale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë për veprime të mëtejshme”, deklaron zyrtarisht policia.

/l.k./

Foto Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: