GJURMËT E MARKSIT – OPINION NGA FRROK ÇUPI

GJURMËT E MARKSIT – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Përderisa nuk po “çanim”  përpara, natyrshëm që do të silleshim në vend. Gjithë bota e përparuar po lëvizte, ose edhe po përplasej. Realiteti ynë është si një qerthull: O do të gjendet një rrugëdalje, o do të vërtitesh aty ku ishim... Ndodhi e dyta. Ne ishim nën “kupolën” e Marksizëm- Leninizmit; tani ose po kthehemi ne në atë stad, ose “perënditë e vdekura” kthehen mes nesh... Qeveria, e cila nuk u kujdes për ruajtjen strikte të sistemit dhe mbylli hapësirat për projekte ndryshe, ka krijuar “nevojën” e një oponence marksiste.

Mes nesh, po duken qartë gjurmët e Marksit. Ja ku janë:

Prona e përbashkët dhe e askujt:

I shikoni disa banorë në njërën nga unazat e kryeqytetit, tek janë ngujuar në protesta për të mos lëshuar pronën e zënë? Para dy dekadash erdhën nën një parullë që u duk “anti- komuniste” dhe zunë tokën e tjetërkujt. Miliona zënie pronash janë prezente në një popullsi prej vetëm 3 milionë banorësh. Sipas statistikave gjyqësore, çdo individ në vend është i përfshirë në tre konflikte gjyqësore, kryesisht për pronën. Lëvizja anti-komuniste e tre dekadave më parë, i ndau pronat në mënyrë komuniste. Banorët e “Unazës” sot natyrshëm nuk e lëshojnë pronën, sepse janë brumosur me idenë se “prona jote, është prona ime”.

Studentët nuk paguajnë për dijet:

Malli më i pavlerë për studentët është dija; ata kanë disa ditë që protestojnë për të mos paguar shkollën. Jo kaq thjesht, por në mënyrë më marksiste. Ata thonë “pse të lodhen prindërit e mi që të më blejnë libra? Good, d.m.th. të punojnë të tjerët edhe për mua...”. Studentët, njësoj si “Hegelianët e rinj” të Marksit, e urrejnë shtetin, njësoj si kapitalistin që u ka marrë mbivlerën. Atëherë, në thelbin e protestës aq sa rrezaton në publik, studentët e kërkojnë dijen ose nga xhepat e taksapaguesve ,ose nga fitimet “gjakatare” të shtetit, d.m.th. kapitalistit sipas konceptit marksist. Studentët mendojnë jo bazuar në aftësitë e tyre dhe në pavarësi, por në varësi të plotë nga shteti që “më edukon”, “më punëson”, në fund “më trajton si plaçkë”.

Deputetët tentojnë reforma, pavarësisht se “shkelen të drejtat e individit”

Prej kohësh,deputetët kanë nëpër këmbë një të ashtuquajtur reformë për dekriminalizim të politikës. Opozita ka kërkuar veting të politikës. “Veting” do të thotë verifikim. Kjo ka trullosur edhe Komisionin e Venecias “për Demokracinë” dhe të tjerë që kanë thënë se “verifikimi” i politikanëve bëhet gjatë votimit, si paska mënyra të tjera në shtetin modern?. Venecia tha edhe se meraku është se një veting i tillë cenon konventat për të drejtat e individit. Deputetët brohoritën menjëherë Po!. Ata thanë “le të shkelen të drejtat e individit në emër të vetingut mbi politikanët...”. Në komunizëm ka ndodhur disa herë që janë varrosur të drejtat e individit për hir të Revolucionit: U shkel e drejta e besimit, e drejta e pronës, e drejta e barazisë para ligjit... Këta janë kthyer te “bishti” i tyre.

Lufta kundër të pasurve:

Këtë “stafetë” e ka marrë në dorë tanimë opozita, e cila është betuar se “pas fitores” (a nuk ju duket sikur thonë “pas çlirimit”) , do të shpronësojmë gjithë të pasurit. Politika ka bërë gati një listë me të gjithë njerëzit e shquar shqiptarë në biznes. Njësoj si të ndodhte që Amerika të shuante Rokfelerët, Morganët, BillGates, MarkZukerberger... Koncepti marksist i shpronësimit, që rrënoi sidomos Shqipërinë në vitet e socializmit, krijoji barazitizmin në varfëri, shtetin e proletariatit, parazitizmin, varfërinë si moral...

Qeveria përballë lëvizjeve të pakontrollueshme:

Akti qeveritar përballë studentëve protestues dëshmoi pikërisht këtë: Qeveria, një herë shfaqet e ngrefosur, një herë tjetër “si pulë”. Prej disa ditësh, qeveria u tha studentëve se “nuk lëshon” në vendimet mbi tarifat. Ndërsa dje, anuloi një nga vendimet e saj.

Vetë oponenca e grumbulluar kundër qeverisë, ku ka banorë informalë, të shpronësuar e të papaguar, studentë, pronarë që nuk lënë banesat..., të gjithë këta mund të krijojnë një konglomerat thjesht për të goditur pushtetin, pa mundur të ndërtojnë gjë të mirë. Ose duke rrethuar kryeministrinë, mund të mos ndërtojnë asgjë, por ta lënë shtetin “përshesh”. Anarkia vjen, zakonisht, kur nga kupola cenohet sistemi. Madje as vetë Marksi nuk ishte  në favor të anarkisë së vlerave, por post-marksistët e aplikuan, veçanërisht në vendin tonë...

Në këto rrethana, mund të kërkohet një oponencë marksiste- këtë dua të them.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: