Genc Tomorri: Futbolli në Shqipëri? Nuk zhvillohen vetvetiu!   

Genc Tomorri: Futbolli në Shqipëri? Nuk zhvillohen vetvetiu!   
Genc Tomorri analizon prapambetjen e futbollit në Shqipëri, ecurinë e kampionatit tonë si dhe të ardhmen që pret Kombëtaren e Panucci-t

Genc Tomorri, ish-futbollist i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, si dhe drejtues i klubit “Partizani” për vite me radhë beson se për zhvillimin e sportit dhe veçanërisht të futbollit, rolin kryesor si në çdo vend tjetër e ka shteti.

Për “Albanian Free Press” ai pranoi se pas viteve ’90 sporti nuk ka qenë më prioritet i shtetit, çka ka sjellë edhe dobësimin e sporteve masive, si të futbollit, volejbollit e basketbollit, sporte që i kishin shumë më të zhvilluara dikur.

“Besoj se roli i shtetit, strategjia dhe vizioni për zhvillimin e sportit, ka ndikimin kryesor”, - theksoi Tomorri. - “Në kohën tonë, falë një organizimi më të mirë kur ishte gjithçka në duart e shtetit, sidomos të ekipeve zinxhirë, evidentohej talenti dhe përgatitej. Mbi këtë logjikë ekipet kishin, ashtu si edhe kombëtaret, më shumë perspektivë për të pasur sukses në arenën ndërkombëtare. Aktualisht kemi vetëm Kombëtaren e futbollit që konkurron, kjo falë edhe të lojtarëve që përgatiten dhe vijnë nga jashtë.”

Në mungesë të rolit të shtetit investimet të sektorit privat kryesisht në futboll, kanë mbajtur në një gjendje më të mirë pikërisht klubet e futbollit.

Sipas Tomorrit, investimi tek të rinjtë mbetet faktori kryesor që sjell sukses. Mungesa e vizionit për të investuar dhe përfituar nga fondet e huaja na kanë sjellë një situatë edhe më pak pozitive për të konkurruar vendet e tjera.

Lidhur me Kombëtaren, pasi mësoi shortin e Euro 2020, Tomorri tha se suksesi do të varet nga strategjia që do të ndërtojë trajneri Chrisitan Panucci, duke parë si model atë të Gianni de Biasi. Genc Tomorri mbi ecurinë e kampionatit shqiptar, u shpreh i bindur se Partizani këtë sezon, do të rikthehet tek titulli kampion.

“Fitorja e fundit në derbi përforcoi objektivin e Partizanit. Mendoj se gara mbetet e hapur deri në fund, me rivalët aktualë: Skënderbeun, Kukësin, por edhe Teutën. Shoh me ambicie edhe ekipet e tjera si Flamurtari e Laçi.” Genc Tomorri sheh për pjesën e mbetur në betejë për mbijetesë 4 ekipet e tjera: Tirana, Luftëtari, Kamza e Kastrioti.  A. Muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: