Futbollin shqiptar në fushë, “pasqyrë” e financave   

Futbollin shqiptar në fushë, “pasqyrë” e financave   
Braktisja e fushës nga Skënderbeu, rreziku i shpërbërjes së Luftëtarit apo edhe pranimi i Administratorit të Flamurtarit mbi gjendjen financiare, flasin për një realitet të trishtë të futbollit

Aranit Muraçi   

Disa klube të Kategorisë Superiore kanë pasur probleme të theksuara financiare dhe situata ka shkuar deri aty sa në media është pretenduar shpërbërja e Luftëtarit të Gjirokastrës. Por para ndeshjes së fundjavës me Kamzën, që do të jetë edhe një përballjeje mbijetese, Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, hedh poshtë rrezikun se skuadra e tij mund të shpërbëhet për shkak të problemeve financiare. Ai pranoi që ka pasur vonesa në pagesa, për të cilat garantoi se do të shlyhet brenda javës. Gjithsesi kanë qenë lojtarët që kanë shprehur pakënaqësitë për vonesat në pagesa. Ky është rasti i parë gjatë këtij sezoni, që tregon vështirësitë financiare me të cilat përballen klubet e Kategorisë Superiore.

Lojtarët e Skënderbeut braktisën stërvitjen një muaj më parë dhe u desh ky veprim që situata të normalizohen në kohë. Aktualisht Skënderbeu mban vendin e dytë, por e ka humbur statusin e klubit më të rregullt në pagesa, pas dënimit të UEFA-s dhe gjyqeve që i kanë humbur kohë, dhe është në pritje për të mësuar fatin e së ardhmes.

Pas humbjes së fundit në Krujë, janë shtuar pretendimet se te Flamurtari ka pasur gjithashtu probleme me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura financiare. Administratori i klubit Sinan Idrizi ka pohuar se ky fakt është i vërtetë, por ai ka shtuar se kjo nuk ka ndodhur për fajin e tij. - “Flamurtari është i vetmi ekip në Shqipëri, që në këto 5 vite që e drejtoj unë, është se ka pasur probleme pagash, por jo se asnjë tjetër nuk ka. I vetmi ekip jofunksional jemi ne. Nëse ka të tjerë që e bëjnë më mirë punën, nuk flas për kafexhinjtë, të vijnë që nesër në mëngjes dhe të vijojnë punën. Ia dorëzoj që nesër, “- u shpreh Idirizi. Te Kastrioti pretendohet se pagesat janë më modeste, ndërsa nuk përjashtohet nga problemet financiare edhe Tirana, që po noton në “ujëra të turbullta”. Teuta dhe Laçi, që ndjekin Partizanin, kanë pasur një ecuri të mirë gjatë këtij sezoni, si ndoshta të vetmet klube që kanë respektuar deri tani shlyerjen në kohë të detyrimeve, përveç kryesuesve.  Dhe kjo shpjegohet faktin se pikërisht klubet që kanë qenë më të rregullta nga ana financiare me lojtarët e tyre, kanë edhe ecurinë më të mirë gjatë këtij sezoni.

 

Kategoria Superiore

Java e 16-të/7 dhjetor

14:00 Kukësi - Skënderbeu

8 dhjetor

17:00 Teuta - Partizani

14:00 Tirana - Kastrioti

9 dhjetor

17:00 Flamurtari - Laçi

14:00  Kamza - Luftëtari

 

Rënia

Diferenca nga Luftëtari që mban vendin e 7-të dhe Kamza që mban vendin e 10-të është vetëm 4 pikë. Luftëtari është i shkëputur 9 pikë nga Flamurtari që mban mesin e klasifikimit. Pjesë e dytë e garës do të zhvillohet mes tyre, ku bën pjesë edhe Tirana e Kastrioti.

Titulli

Diferenca nga Partizani i vendit të parë me 34 pikë dhe Laçit të vendit të pestë, me 26 pikë, është e ngushtë dhe gara mbetet e hapur për titull edhe mes ekipeve të tjera si Skënderbeu, Kukësi dhe Teuta. Të kuqtë kanë një diferencë prej 4 pikësh nga vendi i dytë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: