FIFA jep 210 milionë euro, Shqipëria mbetet duarbosh

FIFA jep 210 milionë euro, Shqipëria mbetet duarbosh
Një pjesë e mirë e të ardhurave  nga Botërori 2018 do t’u jepen klubeve të futbollit. Përfitojnë thuajse të gjitha ligat e Ballkanit, përveç kampionatit shqiptar që nuk çoi asnjë futbollist në Rusi   

Aranit Muraçi

Pas mbylljes me sukses të finaleve të Kupës së Botës, “Rusi 2018”, FIFA konfirmoi pagesat në kuadër të Programit të Përfitimeve të Klubeve, por fatkeqësisht vendi ynë nuk përfitoi prej këtij programi. FIFA arkëton shuma marramendëse nga finalet e Kupës së Botës dhe si një organizatë jofitimprurëse ajo i shpërndan ato për zhvillimin e futbollit. Programi për Përfitimet e Klubeve  është pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis FIFA dhe Shoqatës së Klubeve Evropiane, e cila u prezantua para Kupës së Botës 2010, por futbolli shqiptar ende nuk ka përfituar prej tij.

Plot 209 milionë euro shkuan për klubet e futbollit anembanë botës dhe vendeve fqinje të Shqipërisë, lojtarët e të cilëve ndikuan në suksesin e Kupën e Botës. Në total, 209 milionë dollarë do t'u paguhen 416 klubeve nga 63 vende anëtare. - “Kupa e  Botës është majat e futbollit, duke krijuar pasion dhe emocion për çdo lojtar dhe çdo tifoz në çdo cep të botës. Është përgjegjësi e FIFA-s që të rishpërndajë të ardhurat e kësaj gare të veçantë në të gjithë komunitetin e futbollit, dhe klubet, padyshim, meritojnë të ndajnë këtë sukses meqë ishin kontribues kyç i tij. Jam shumë i kënaqur të shoh se ekipet nga shumë rajone të ndryshme do të përfitojnë nga ky program, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e futbollit edhe më tej në të gjithë globin”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Pa dyshim, dhjetë klubet që kishin më shumë lojtarë në skuadrat e Kupës së Botës morën pjesën më të madhe të përfitimeve si: Manchester City, Real Madrid, Tottenham, Barcelona, ​​PSG, Chelsea, Manchester U, Atlético M., Juventus  dhe Monako. Megjithatë, shuma të konsiderueshme do të shkojnë edhe për klube nga Azia, Afrika dhe Amerika, si dhe për ligat e tjera në Evropë. Për shembull, klubet që do të marrin më shumë se 1 milion dollarë janë: Al Ahly (Egjipt), Al-Hilal FC dhe Al-Ahli FC (Arabia Saudite), CF Pachuca (Meksikë), Boca Juniors (Argjentinë), Copenhgagen  (Danimarkë), Celtic (Skoci), Anderlecht (Belgjikë), Ajax dhe Feyenoord (Holandë). Klubet nga Kroacia, Qipro, Greqia, Turqia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania përfituan gjithashtu nga ky fond shumë të përafërta. Në numër klubet turke, plot 16, edhe pse Turqia nuk ishte në botëror, kanë fituar më tepër nga buxheti i FIFA-s. Klubet e vendeve ballkanase do të marrin shumë në rreth 1 milion dollarë, aq sa është buxheti mesatar i një klubi të Kategorisë Superiore në Shqipëri.

Shqiptarët e Botërorit

Shaqiri e Xhaka, ja pse nuk përfitoi as Zvicra nga fondi i FIFA-s

Shqiptarët u bënë krenarë për faktin se disa lojtarë me origjinë shqiptarë përfaqësuan Zvicrën në “Rusi 2018”, madje pas golave që shënuan me Zvicrën formuan edhe gjestin e shqiponjës dykrenore.

Pas Kupës së Botës, nga përfaqësimi i disa prej tyre, nuk përfitoi as Zvicra e as Shqipëria, por përfituan klubet e pasura angleze ku ata luanin, si ato të Premier League: Arsenali (Granit Xhaka) e Stoke (Xherdan Shaqiri).

Kjo është edhe një arsye se përse klubet e mëdha u kushtojnë rëndësi faktit që lojtari është pjesë e një ekip përfaqësues, me ambicie për të prekur finalet e Kupës së Botës, si një strategji më shumë për të mbushur arkën e klubit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: