FATMIRA HAJDARI E KALOI VETTINGUN - KOMENT NGA ILIR BABARAMO

FATMIRA HAJDARI E KALOI VETTINGUN - KOMENT NGA ILIR BABARAMO
Nga Ilir Babaramo

E bija e liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ka gjetur momentin më të pabesë për të sulmuar Partinë Demokratike. Rudina Hajdari përmes një statusi në Facebook ka sulmuar partinë që ka bashkëthemeluar babai i saj.

Në këtë status në facebook ka përdorur fjalë në publik shumë më tepër se që nga dita kur mori mandatin 400 ditë më parë.

Për hir të vërtetës deputetja vetëm ka heshtur. Pikërisht deklarata e sotme e saj, në kohën kur qeveria po lëkundet dhe më shumë se kurdo ka nevojë për opozitë të opozitës vjen dhe surpriza e bijës së Azemit të ndjerë.

Efekti i kësaj deklarate ka për të qenë zero. Ai mjafton për të na dëshmuar dy fenomene, dëshpërimin e Ramës i cili duhet të ketë përdorur ndonjë ish-aktor të socrealizmit për të mbyllur pazarin dhe mendësinë tribale me të cilën hartohet listat e deputetëve.

Rasti i bijës së të ndjerit Azem Hajdari ngjason si dy pika uji me rastin e të bijës së të ndjerit Ibrahim Rugova.

Basha dhe Mustafa duhet të jenë nisur nga i njëjti motiv kur kanë futur në Parlament bijat e këtyre dy personazheve historikë.

Dhe e bija e Rugovës kurrë nuk e ka hapur gojën në Parlament.

Dhe e bija e Rugovës i ka ngulur thikën në shpinë LDK, madje në moment shumë më të rënda. Falë votës përcaktuese të saj, Hashim Thaçi, kundërshtari më i egër i babait u zgjodh president, falë votës së saj e cila është blerë tashmë nga qeveria opozita shpesh i ka patur duart e lidhura.

Në Prishtinë të gjithë e dinë faturën, pazaret e Ukës, vëllait. Përgjithësisht Thaçi ka kopjuar metodat e Ramës. Eshtë hera e parë që ndodh e kundërta.

Kjo mendësi bajraktare në hartimin e listave të deputetëve, që të fusim bijtë pa asnjë meritë në këmbë të prindërve duhet të marrë fund. Ata që hartojnë listat duhet ta dinë se gjenetika është shpesh kapricioze. Asnjë nga vajzat e Kadarese nuk u be shkrimtare.

Nëse pazarin e Ukës në Prishtinë e dimë, tani na duhet të presim të përfundojë procesi i vetingut i Apelit në Tiranë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: