Fasonët: Rënia e euros dhe TVSH-ja po na rrënojnë

Fasonët: Rënia e euros dhe TVSH-ja po na rrënojnë
“Të ardhurat janë në euro, kurse shpenzimet në lekë. Kur euro është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit, do të thotë zhvlerësim i njëjtë edhe i të ardhurave”

Rënia e vazhdueshme e monedhës evropiane, euro, kundrejt asaj kombëtare, lekut, në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, duket se i ka krijuar mjaft vështirësi industrisë fasone në vendin tonë. Kjo u konfirmua dje në mënyrë zyrtare prej Dhomës Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve (DHKPV), si përfaqësuesja e më shumë se 500 sipërmarrësve në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nën regjimin e përpunimit aktiv, ose siç njihet ndryshe, i llojit fason. Kështu, me anë të një deklarate të posaçme, ajo ka

reaguar lidhur me situatën e vështirë ekonomiko-financiare që po kalon aktualisht sektori fason. SHKPV arriti në konklu-zionin se dy janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e tejskajshëm të gjendjes ekonomike të ndërmarrjeve prodhuese fason: Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek dhe mosrimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. “Së pari: Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek. Mbivleresimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet e prodhimit fason. Të ardhurat e këtyre ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë.

Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve (të ardhurave) për këto kompani. Theksojmë se fitimi mesatar i ndërmarrjeve të prodhimit fason është rreth 15%, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit”, pohojnë fasonistët. Duke shtuar së dyti, se mosrimbursimi i TVSH-së gjatë muajve të fundit ka krijuar për pasojë një bllokim të likuiditeteve të këtyre kompanive, që ka sjellë edhe asfiksimin e sektorit, sidomos në marrëdhëniet me nënkontraktorët.

 

Çfarë kërkojnë realisht fasonistët? Lista me pikat konkrete të tyre

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, kërkon marrjen e masave urgjente për të normalizuar gjendjen

“Së pari: Kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar kursin e këmbimit euro-lek.

Së dyti: Kërkojmë nga ana e qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv. Së treti: Kërkojmë nga ana e qeverisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet e prodhimit fason të dalin nga gjendja e vështirë dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre.

“Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, nëpërmjet kësaj deklarate kërkon nje reagim urgjent te qeverisë shqiptare, për të implementuar një paketë emergjente, për të arritur një zgjidhje të shpejtë të situatës, për të shpëtuar nga falimentimi një nga sektorët që numëron numrin më të madh të të punësuarve në vend dhe që siguron miliona euro nga eksporti i prodhimeve tona”, përfundojnë fasonistët.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: