Euro deri në 121 lekë... Qytetarë edhe biznese: Po humbasim, deri kur kështu?

Euro deri në 121 lekë... Qytetarë edhe biznese: Po humbasim, deri kur kështu?
Të gjithë ata që i kanë të ardhurat në euro, por pagesat i bëjnë me lekë, po rezultojnë gjithmonë e më të humbur nga rënia e vazhdueshme e euros në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Që të gjithë, biznese dhe qytetarë shtrojnë pyetjen e përbashkët: Deri kur do të vazhdojë kjo dukuri?!

“Ishte ditë Krishtlindjesh dhe më duhej të këmbeja disa euro. Pika më e afërt që gjeta ishte një qendër tregtare, e hapur, megjithëse ishte festë. Sa i këmbeva? 121 mijë lekë!”. Luani dukej i çuditur, ndërsa po fliste me shokun e tij për kursin mjaft të ulët ku po arrin monedha evropiane gjatë këtij fundviti. “Nuk po merret vesh o vëlla ku do arrijë me këtë ritëm. Kur pardje, i këmbeva prapë 100 euro me 122 mijë lekë. Si bika kështu nga dita në ditë”, shtoi ai. Një shqetësim ky në fakt, me të cilin po ndeshen mjaft qytetarë, por edhe biznese të këtij vendi, të cilët i kanë të ardhurat e tyre në euro, por ama shpenzimet i kryejnë me lekë. E thënë më thjesht, paguhen apo ju sjellin euro, por paguajnë me lekë, e kësisoj humbasin më shumë pará se më parë. Siç është rasti i një familjeje me dy të moshuar, të cilët jetojnë me 300 eurot e djalit të tyre emigrant në Itali. “Mondi na sjell gjithmonë 300 euro në muaj. Me ato dhe mezi ia dalim. Por këtë vit, nga djali na kanë rënë më pak lekë se vjet dhe jemi gjendur ngushtë. Kur i këmbejmë na bien mbi 10 mijë lekë më pak se më parë. Po ne me ato paguanim ujin, apo ndonjë gjë tjetër”, pohon e ëma, Hatixhja. Apo edhe rasti i një biznesmeneje, e cila ka dhënë disa ambiente me qera, në euro. “Kemi rreth një vit që kemi ulje drastike të të ardhurave si kompani nga qeratë, pasi vërtet i marrim në euro, por ama shpenzojmë për pagat apo investime në lekë”, tregon Vilma, e cila është ortake e një kompanie me gjashtë aksionarë, që duket se ndajnë me të, të njëjtin shqetësim, shkaktuar nga rënia e vazhdueshme e euros gjatë këtij viti, pasi janë penalizuar në mënyrë direkte prej saj.

 

122.76 lekë, kursi i fundit zyrtar i këmbimit i Bankës së Shqipërisë

122.76 lekë është kursi i fundit zyrtar sipas Bankës së Shqipërisë referuar këmbimit valutor të monedhës evropiane, euro, ndaj asaj vendase. Një shifër kjo që po i afrohet “pikut” të arritur plot dhjetë vjet më parë, pikërisht në vitin 2018, kur ajo arriti të këmbehej me vlerën e 121.44 lekëve. Dhe që po justifikohet tashmë prej ekspertëve me sezonin e fundvitit, periudhë kjo kur vijnë emigrantët në vend dhe sjellin një ofertë të madhe të monedhës evropiane, prej vendeve ku jetojnë dhe punojnë. Sikundër nga ana tjetër, ekspertët pohojnë se dukuria e zhvlerësimit të madh të monedhës vendase po ndodh edhe për shkak të rënies së konsumit në tërësinë e tij, duke e kufizuar së tepërmi ofertën në të.

Edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se oferta e parasë këtë vit ka ardhur në rënie. Por mesa duket, mungesa e qarkullimit të lekut dhe oferta e shtuar në valutë kanë bërë që këtë vit, efektet sezonale të fillojnë të ndihen më shpejt. Teksa gjatë gjithë muajit dhjetor, monedha euro vetëm ka shënuar rënie, duke humbur 1.5 lekë vetëm gjatë 24 ditëve të para të muajit.

 

Ndërhyrjet në treg, Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 400 milionë euro sivjet

Rreth 400 milionë euro vetëm gjatë gjysmës së dytë të këtij viti është shuma e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme në tregun valutor prej Bankës së Shqipërisë. Kjo shifër u bë me dije prej vetë guvernatorit të saj, Gent Sejko gjatë konferencës së fundvitit. Sipas tij, oferta në valutë u rrit në mënyrë të duk-shme nga konvertimi i kapitalit të bankave dhe disbursimi i kredisë për energjinë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, transaksione këto që vlerësohen në rreth 400 milionë euro. “Në një moment u detyruam të ndërhynim, pasi nënçmimi i euros po prekte objektivin e inflacionit”, tha Sejko, lidhur me një fakt të tillë. Ndërkaq, banka qendrore vlerëson se nënçmimi i euros ka një efekt më të ulët në inflacion, por nëse do të shihet që ndikimi do të jetë i fortë, atëherë mund të marrë në konsideratë sërish ndërhyrjen. Sipas

Sejkos, Banka e Shqipërisë ndërhyn vetëm në funksion të objektivit të vet të inflacionit dhe jo për të mbrojtur interesat e grupe të veçanta. “Agjentët mund të marrin masa për tu mbrojtur nga kursi i këmbimit, duke e përcaktuar kursin në kontratë, kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur këtë rrezik”, tha ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: