Euro 2020/ Shqipëria në një “valle”, me kampionët e Botës! 

Euro 2020/ Shqipëria në një “valle”, me kampionët e Botës! 
Trajneri Christian Panucci kërkon kualifikimin pas Francës, por për kualifikimin e dytë historik të Kombëtares shqiptare duhen sfiduar ekipe si Islanda e Turqia     

Aranit Muraçi

Edhe nëse Kombëtarja e Shqipërisë nuk do të presë një biletë në Euro 2020, tifozët do të kenë fatin të shohin nga afër yjet e futbollit botëror, ata që u kurorëzuan në “Rusi 2018” me titullin: Kampionë Bote, yje si Griezman e Mbappe, favoritë për të këtë vit fituar Topin ne Artë.

Për të prerë një biletë në Euro 2020, pas shortit që u mësua dje në Dublin, kuqezinjtë po i bëjnë llogaritë me dy ekipet e tjera që kanë po ashtu pretendime, si Islanda dhe Turqia. Më kryesorja, nga shorti Kombëtarja e Shqipërisë shmangu një përballje të mundshme me Gjermaninë, kundërshtar që nuk e donte as Italia ta kishte përballë. Trajneri Christian Panucci udhëtoi me homologun e tij italian, Roberto Mancini, drejt Dublinit, ku edhe pas shortit u shpreh: Shorti? Mund të kishte qenë më i keq, por mund të kishim edhe më tepër fat. Tani duhet ta pranojmë atë, e të përpiqemi për më të mirën”.

Nën drejtimin e tij, Shqipëria zhgënjeu në Ligën e Kombeve, por edhe në disa miqësore, me përjashtim të asaj ndaj Turqisë, me të cilën do të përballemi sërish. Deri në muajin mars, kur të nisin ndeshjet e para kualifikuese, Panucci shpreson në rikthimin e disa të dëmtuarve, si Sadiku e Roshi. “Nuk më pëlqen të gjej justifikime, por prej gati një viti na mungojnë pesë, gjashtë lojtarë. Unë shpresoj që t'i kem ata në mars. Jemi në një grup konkurrues”.  Trajneri italian rrezikohej të shkarkohej për mungesë rezultatesh, por ai beson se objektivi mund të arrihet teksa i uroj Italisë dhe Mancinit të kualifikohen më shpejt se Shqipëria. “Uroj që Mancini të mos e presë biletën në ditën e fundit, siç pretendoj unë” – theksoi Panucci, duke mbetur optimist dhe shpalosur kësisoj objektivin se Shqipëria pretendon kualifikimin për herë të dytë radhazi në finalet e një Europiani. I tillë ishte edhe kushti në kontratën e trajnerit Panucci, i cili për të shpalosur idetë e tij, duhet: të jetë dinjitoz me Francën, të mos zhgënjejë me Moldavinë dhe Andorrën, dhe të sfidojë ekipe si Islanda dhe Turqia.

 

Grupet kualifikuese të Euro 2020!

Grupi A: Angli, Çeki, Bullgari, Mali i Zi, Kosovë

Grupi B: Portugali, Ukrainë, Serbi, Lituani, Luksemburg

Grupi C: Holandë, Gjermani, Irlandë V., Estoni, Bjellorusi

Grupi D: Zvicër, Danimarkë, Irlandë, Gjeorgji, Gjibraltar

Grupi E: Kroacia, Uells, Sllovaki, Hungari, Azerbajxhan

Grupi F: Spanjë, Suedi, Norvegji, Rumani, Ishujt Faore, Maltë

Grupi G: Poloni, Austri, Izrael, Slloveni, Maqedoni, Latoni

Grupi H: Francë, Islandë, Turqi, Shqipëri, Moldavi, Andorrë

Grupi I: Belgjikë, Rusi, Skoci, Qipro, Kazakistan, S. Marino

Grupi J: Itali, Bos-Herz, Finlandë, Greqi, Armeni, Liechtenstein

 

 

Trajneri i Turqisë, Mircea Lucescu:

“Grupet janë të gjitha të vështira. Çfarëdo që të ndodhte nga shorti, neve na duhet të fitojmë. Do të luajmë edhe ndaj Francës. Sigurisht ne do të futemi në fushë për ta fituar edhe atë ndeshje, edhe pse nuk është e drejta ta vëmë theksin vetëm tek ai takim. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme:

Trajneri i Francës, Didier Deschamps:

Islanda është një skuadër e fortë, por do të kemi udhëtime të vështira edhe për në Shqipëri e Turqi. Çdo ndeshje kualifikuese është e vështirë. Shqipërinë  e njohim mirë nga Euro 2016, ruajmë respekt. Ka lojtarë me eksperiencë që luajnë në liga të rëndësishme. Edhe Panucci-n e kam pasur lojtar te Monako.

Trajneri i Islandës, Erik Hamren:

“Duhet të jemi vërtet të fortë, është e vështirë të arrihen për herë të tretë radhazi finalet e një eventi të madh. Por ky është qëllimi ynë, edhe pse do të luajmë përballë vendeve më të mëdha se Islanda. Mendoj se sërish ne mund të kualifikohemi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: