E MAJTA E KATËRT... – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI

E MAJTA E KATËRT... – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Studentët, pavarësisht nëse ndërtojnë apo nuk ndërtojnë parti politike, po vihen në hullinë e të majtës së katërt. Tre të majtat tradicionale: PS, PD dhe LSI (nëse nuk e marrim si një sekt), janë tre të majtat që kanë bllokuar gjithë hapësirën politike pro- perëndimore të konservatorizmit në vend. Tani Shqipëria dhe shqiptarët, në hartën më ngjyrime politike, shfaqen vetëm me ngjyrën e të majtës. Çudia që ka pushtuar aktivistë politik dhe vëzhgues në Perëndim, lidhet me vitin 1990: “Vallë cili u gabua në atë përshtypje, Perëndimi që mendoi se shqiptarët u ngritën për të zbuluar të djathtën, apo e djathta (PD) në Shqipëri ka devijuar ekstremisht majtas?!...

Aspirata konservative e shqiptarëve, sidomos e shtresave të mesme e mbi të mesme dhe e intelektualëve, nuk është shuar kurrë. Tjetër gjë se partitë, të formuluara mbi baza laicizmi politik, lëshojnë “autostradat” ideologjike sa herë duan.

Nëse partitë politikë, qoftë edhe PD, do të kishte ide të thella konservatore, atëherë nuk mund të ndodhte që brenda një kohe kaq të shkurtër të bëhej më ‘socialiste’ se vetë Partia Socialiste. Kjo nuk është çështje e “genit” të shqiptarëve, por e lidershipit të partisë “konservatore” (PD) e cila pi ujin e ndenjur në këmbën e kalit ku kalëron e Majta.

Tani ndodhemi para një komploti të egër të të tre krahëve të majtë: PS, PD, LSI. Nëse komploti i tyre fiton, atëherë duhet të mbyllim, edhe për një shekull, portën e të djathtës konservatore. Kjo do të thotë të mos flasim më për konservim të vlerave që kombi krijon përditë, as për ndriçimin e vlerave të hershme, as për prona, as për sovranitet, as për familje të shëndetshme pa abort, pa drogë, pa homoseksualizëm... Fjala “as” do të vazhdonte gjatë nëse do të përmendim të gjitha vlerat që humbim duke humbur të djathtën konservatore edhe kësaj here.

Komploti është ngritur para ‘partisë së re’ politike të studentëve që po protestojnë për jetesën dhe nivelin e dijeve në universitetet publike. Ata sapo kanë shkuar për pushime në shtëpi, dhe kthehen përsëri në bulevarde- siç kanë premtuar. Por është njësoj si të dalin- si të mos dalin në bulevarde, përderisa vijnë si “asgjë” e re, por si shtesë e të majtës.

Nga tre të majta (nëse LSI-në nuk po e emërojmë sekt - siç është), bashkë me studentët do të bëhemi me katër të majta. Një trup me katër duar të majta do të ishte një monstër; po kështu edhe një komb me katër të majta do të shfaqej si një krijesë e frikshme para botës së qytetëruar. Komploti që kanë bërë gati tre të majtat (PS, PD dhe LSI) do të na sjellë krijesën më të keqe. Kryeministri Rama, kryetar i PS, ka deklaruar se ‘do të udhëheqë protestat e studentëve’, gjë që drejtpërdrejt nënkupton se Lëvizja e tyre do të shndërrohet në një Lëvizje majtiste - bijë e Partisë Socialiste, e Partisë Demokratike dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Tre të majtat nuk do të lejojnë kurrë që të preket hapësira e tyre e pafund.

Para se studentët të niseshin në shtëpi për festat e Vitit, ata “gia” ishin të majtë. Por me rikthimin në rrugë, gjatë festave- me siguri që do të kenë ‘ngrënë’ edhe ushqimin e komplotit majtist.

Ku shfaqet majtizmi i Lëvizjes së Studentëve? Në atë çfarë keni parë përditë në ekrane ose edhe në rrugë:

E para, studentët më energjikë dhe të paepur që i pamë edhe netët para selisë së qeverisë, janë djemtë dhe vajzat që i detyrohen LSI-së pse i ka trajtuar në plazhin e Jalës ku edhe kanë shpëlarë trurin. Këta kanë marrë formën e studentëve guerrilas.

E dyta, grupimi i studentëve që hapur deklarojnë se inspirohen nga profesorë të tyre që ushqejnë partinë Marksiste. Këta edhe pse nuk përbëjnë shumicë, idetë e tyre janë tërheqëse për grupimet e tjera.

E treta, grupimi i frymëzuar nga PD, i cili ka një urrejtje të thellë në emër të prindërve të persekutuar në komunizëm, por që shprehet me po aq dëm sa edhe mllefet e luftës së klasave në diktaturë. Këta, së bashku me LSI-stët, janë promotorë të idesë për të përzënë nga protesta cilindo student që pranon dialog me qeverinë.

E katërta, një grupim shumë i madh që nuk pranon të zgjidhet lidership dhe përfaqësi. Idenë e tyre ‘pa lidership’, këta e fshehin pas justifikimit se ‘kemi frikë nga tradhtarët’, domethënë nuk i besojnë njëri tjetrit. Por, ndoshta edhe pa dashje, këta krijojnë figurën e një lëvizjeje Islamiste, majtiste...

Skena e krijuar është aq shumë e pëlqyeshme për tre të majtat e tjera: PS, PD, LSI.

Të tre këto të majta, duke krijuar një ‘Parti Studentësh’ mund t’i thonë botës se nuk ka nevojë më për lëvizje të reja, ‘ja ku jemi’. Komploti është shumë djallëzor; arena jonë politike me tre të majtat është manifestuar si arenë anti-konservatore, anti-Trump, anti-Brexit, anti-globalistë dhe kundër lëvizjeve të reja politike në Perëndim.

Vendi ynë, vallë, ku do të qëndrojë me katër të Majta?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: