DIVERGJENCA GRUPIMESH/ Rinis marshimi i studentëve, do evitohet “stacioni” i Kryeministrisë?

DIVERGJENCA GRUPIMESH/ Rinis marshimi i studentëve, do evitohet “stacioni” i Kryeministrisë?
Protesta e studentëve ka rifilluar paraditen e sotme me marshimin e studentëve nga universitetet përkatëse drejt Ministrisë së arsimit.

Mediat raportojnë se ka patur një përplasje të dy grupimeve të ndryshme mes studentëve të Universitetit Politeknik, të cilët kishin parashikuar dje që të bënin ndalesën e parë përpara Kryeministrisë.

Studentët kanë treguar se për shkak të qëndrimeve të ndryshme, është vendosur që marshimi të mos ndalojë përpara zyrës së Kryeministrit Rama, madje njëri prej tyre ka thënë përpara mikrofonave se devijimi nga programi është orkestruar nga studentë pjesëmarrës në forumet rinore të partive ose që kanë marrë urdhra politikë për të shmangur Kryeministrinë.

Por mësohet se përplasja vazhdon edhe në këto momente, teksa studentët e fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Universitetit Bujqësor duan të stacionohen përpara Kryeministrisë.

Për momentin, protesta është përqëndruar përpara zyrës së ministres Lindita Nikolla.

"Lindita Nikolla dil në bulevard" është kërkesa e tyre, që është brohoritur edhe dje.

Mijëra studentë janë hedhur në protestë edhe në universitetet publike në Durrës, Shkodër dhe Korçë, ndërsa raportohet se studentë të Universitetit të Elbasanit janë nisur drejt kryeqytetit.

Pasi është pranuar njëra prej kërkesave të tyre, studentët tashmë kërkojnë edhe plotësimin e tre kërkesave të tjera: Përgjysmim të tarifës vjetore të shkollimit, përmirësimin e kushteve të konvikteve dhe rioformatim të Bordit të Universiteteve, me pjesëmarrje studentore.

Protesta studentore ka hyrë sot në ditën e saj të katërt.

Manifestimi i djeshëm dhe fitorja e parë mbi qeverinë, ka gjetur pasqyrim edhe në mediat ndërkombëtare. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: