“Disa orë në limanin e shkatërruar të Durrësit...”

“Disa orë në limanin e shkatërruar të Durrësit...”
 

“Albanian Free Press” riboton për herë të parë reportazhin me të njëjtin titull, publikuar nga gazeta "Bashkimi" e datës 21 prill 1945, i cili mban inicialet P.M. Ose të Petro Markos, i cili njihet si njeriu kapitull gjithmonë i hapur, në historinë e letrave shqipe

 

“Një liman që nis jetën... Por një nga limanet më të rrënuara të Europës. Një mol i ri i ndrequr brenda pak ditëve. Dy vaporë aleatë që vijnë. Dyzet të internuar nga gjermanët kthehen në atdhe...” Me të tilla shprehi, shkrimtari i njohur, Petro Marko, do ta përshkruante limanin e Durrësit në një reportazh të veçantë të tij, botuar plot 73 vjet më parë në gazetën “Bashkimi”, ku ai ishte kryeredaktor. Një artikull ky që mban titullin “Disa orë në limanin e shkatërruar të Durrësit” dhe që “Albanian Free Press” ia sjell lexuesit të ribotuar për herë të parë. Dhe që përmes një pene shumë elegante, “pikturon” limanin e gjithë Ballkanit, i vjetër ky që në kohën e lashta, përkrah porteve të Selanikut dhe të Kostandinopojës. Shkruar pikërisht nga ai që dallohet më shumë si reformator i kulturës shqiptare dhe si përçues i ideve të lira....

 

***

“...Po të donte qeveria kuislinge e Rexhep Mitrovicës dhe regjenca e Mehdi Frashërit, limani i Durrësit nuk do të prishej”. Kështu i tha Vasil Papajt një oficer çekosllovak, në shërbim të gjermanëve. Këto ia tha një ditë pas shkatërrimit të limanit dhe shtoi: “Limani i Durrësit nuk ishte ndonjë pengesë për zbarkimin e trupave aleate. Ky shkatërrim bëhet në marrëveshje me shqiptarët e lidhur pas qerres të gjermanëve.

Këtu njeriu shikon ekspozitën e artit shkatërrimtar të okupatorit nazist. Doemos, edhe Borova, edhe fshatrat e tjera bëjnë pjesë në këtë ekspozitë, po si limani i Durrësit nuk ka vend tjetër ku mund të dallohet mirë fara shkatërrimtare gjermane. Një liman që kushtoi miliona, u prish për të kënaqur instinktet barbare të hitlerianëve dhe tradhëtarëve.

Ja limani i Durrësit, kudo gërmadha. Mole të përmbytur në ujë, që vetëm kollonat dalin përpjetë si shenjë mallkimi! Kudo ndërtesa të rrënuara, depo të shkatërruara, një tok hekura dhe mure të mbrujtura që tregojnë se këtej kaloi Gjermani. Limani i Durrësit për Shqipërinë është monumenti i shfryrjes të vandalëve dhe tradhëtorëve.

Po midis këtyre gërmadhave nisi ndërtimi

Para pak ditëve, u ndreq një mol, të cilin pardje e vizitoi Komandanti i Përgjithshëm. Punëtorët kur e panë kujtuan se ishte një partizan dhe flisnin me të pa e njohur mirë. Kur e njohën, e rrethuan dhe u entuziazmuan. Moli i ndërtuar është shumë i fortë dhe mund të afrohen vaporë prej 7 gjer 8 mijë tonelata. Akoma, punëtorët janë duke punuar për ta zgjeruar, dhe për të shtruar rrugën. Mbanë tjetër është duke u ndrequr një depo e madhe prej seksionit të botores të Durrësit. Stefan Maliko i ngarkuar me kapetanarinë e limanit thotë se tetë barka shqiptare, prej të cilave tre të mëdha, janë duke shërbyer në bregdetin tonë.

Harilla Bakalli (përgjegjës i limanit) dhe ing. Theodhor Sima, që është dërguar prej botores për ndreqjen e shpejt të magazinës të madhe, janë në molin e rindërtuar bashkë me disa përfaqësues të Ministrisë të Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrisë të Asistencës Sociale që presin personelin e L.M. (Ndërlidhja Ushtarake e ndihmave Aleate).

Po vijnë dy vaporë!

Si duken dy vaporë që futen në limanin e Durrësit? Populli vështron me mall këtë nisje të jetës së limanit dhe përmbi molin e ndrequr shumë përgjegjës të portit dhe përfaqësitë e misioneve amerikane, Engles shikojnë vaporët që afrohen. Vaporët puthen në mol. Bien personelin e L.M. të kryesuar nga Colonel D.B.H. Uarner dhe Lt.Colonel J.B. Breckenridge. Midis tyre shquhen edhe shtatëmbëdhjetë partizanë t'anë, ish të plagosur që ktheheshin nga Bari. Ja edhe dyzet të internuar nga gjermanët, që me mallëngjim shikojnë dheun e tyre!

Del përgjegjësi i këtyre dyzet të internuarve Stefan Qëndrua dhe kallëxon: "... në qershorin e 44-s u zumë prej gjermanëve dhe u dërguam në Selanik në kampet e përqendrimit dhe punëve të rënda. Dyqind prej nesh u deportuan në Gjermani, ndërsa ne të ndihmuar nga fuqitë e ELAS-it shpëtuam, dhe autoritetet e EAM-it deshnë të na dërgonin sa më shpejt në Shqipëri. Por mungesa e mjeteve na ndaloi gjersa erdhën aleatët. Na mori në dorëzim Kryqi i Kuq. Pastaj aleatët na dërguan në Pire, Siçili, në Bari, dhe në Santa Maria de Luca. Atje misioni ushtarak i ynë, në Bari, i kryesuar nga kolonel Kadri Hoxha na mori dhe na mbajti në ndërtesat e misionit tonë në Bari! Jemi të lumtur që po kthehemi të gjallë në Shqipëri, po jemi më të lumtur se po gjejmë një Shqipëri të lirë, një Shqipëri të popullit... ".

E ku përshkruhet dot entuziazmi i këtyre dyzet të internuarve? Në fytyrat e tyre pasqyrohej një Odise e tmershme; po në sytë e tyre shprehej kulmi i mallëngjimit që shkelën në tokën e bekuar. Disa prej tyre u gjunjëzuan dhe me lot ndër sy puthën truallin t'onë (ndofta duke lotuar kujtonin dyqint shokët e deportuar në Gjermani që kush e di në janë apo jo të gjallë!).

Një liman që nis jetën

Kështu, edhe atje ku bisha gjermane shfryu zemërimin e saj, atje ku valon flamuri i gërmadhave, në limanin e Durrësit, nisi jeta e lëvizjes. Populli i madh, përmbi mol të ndrequr. Këtu një barkë që mban flamurin e Jugosllavisë të Titos, atje dy vaporë që mbajnë flamurin e Anglisë dhe t' Amerikës, atje më tej dy benzinata që mbajnë flamurin e Shqipërisë së re demokratike...  dhe një moto-nave e kapetanarisë të portit që shket në të katër anët e limanit të japin përshtypjen e gjallërisë. Punëtorë që punojnë, marinarë që lëvizin, popull që grumbullohet, flamujt aleatë që valojnë duken në mes të këtyre gërmadhave si simbol i përpjekjeve të një populli, që ka vendosur të shërojë sa më shpejt plagët e rënda, që i la okupatori dhe tradhëtia... . P. M”.

Përgatiti: Nasho Bakalli

Shpërndajeni me miqtë tuaj: