Deschamps: Respekte Shqipëri, e njoh mirë edhe Panucci-n si “nxënësin” tim

Deschamps: Respekte Shqipëri, e njoh mirë edhe Panucci-n si “nxënësin” tim
E njohim mirë Shqipërinë, jemi përballë me të dhe është një kundërshtar i fortë, i vështirë për t’u kapërcyer.”

Kështu u shpreh trajneri i Francës Didier Deshamps, fill pas shortit, duke vlerësuar Kombëtaren kuqezi, si një prej tre ekipeve kundërshtare që do të rivalizojnë me Francën për një biletë në Euro 2020.

Ishte pikërisht Deshamps, ai që drejtoi Francën në finalet e Euro 2016, kur përballë Kombëtares së drejtuar në atë kohë nga Gianni de Biasi, në kohë shtesë ekipi i tij fitoi 2-0 me Shqipërinë.

Kuqezinjtë fituan në Elbasan më pas, në një miqësore luksi përballë Francës, por kanë zhgënjyer gjatë vitit të fundit, nën drejtimin e Christian Panucci-t. Megjithatë Deshamps thotë se e njeh mirë trajnerin aktual të Kombëtares shqiptare dhe po ashtu edhe ekipin tonë përfaqësues.

“Me Christian Panucci njihemi mirë. E kam pasur lojtar kur isha trajneri i Monako-s. Nuk mund të bëj dot krahasime mes skuadrës aktuale të Shqipërisë dhe asaj që ishte përballë nesh në Euro 2016. Por e vlerësoj Shqipërinë si ekip. Kemi respekt sidomos për  paraqitjet dhe ecurinë e viteve të fundit. Shumë nga lojtarët e Shqipërisë luajnë në liga të rëndësishme dhe kanë po ashtu eksperiencë.”

Lidhur me shanset por kualifikim dhe ekipet e tjera kundërshtare të grupit tonë, Deshamps theksoi: “Do të presim kalendarin për të ditur se kur do të luajmë.  Duhet të kemi përqendrim, si dhe të bëjmë kujdesin e duhur në çdo ndeshje.  Është shumë e vështirë, të bësh dallime me ekipet kundërshtare. Islanda ka ecur mjaft mirë gjatë viteve të fundit, duke u kualifikuar në eventet e mëdha. Turqia, apo Shqipëria do të jenë pretendente, këtë do ta tregojë fusha, nuk mund të bëj dallime në këto momente,” përfundoi Didier Deshamps, kampion bote si lojtar me Francën në ‘98; dhe Kampion Bote në fuqi si trajner i Francës, “Rusi 2018”.

Grupet kualifikuese të Euro 2020!

Grupi A: Angli, Çeki, Bullgari, Mali i Zi, Kosova

Grupi B: Portugali, Ukrainë, Serbi, Lituani, Luksemburg

Grupi C: Holandë, Gjermani, Irlandë V., Estoni, Bjellorusi

Grupi D: Zvicër, Danimarkë, Irlandë, Gjeorgji, Gjibraltar

Grupi E: Kroacia, Uells, Sllovaki, Hungari, Azerbajxhan

Grupi F: Spanjë, Suedi, Norvegji, Rumani, Ishujt Faore, Maltë

Grupi G: Poloni, Austri, Izrael, Slloveni, Maqedoni, Latoni

Grupi H: Francë, Islandë, Turqi, Shqipëri, Moldavi, Andorrë

Grupi I: Belgjikë, Rusi, Skoci, Qipro, Kazakistan, S. Marino

Grupi J: Itali, Bos-Herz, Finlandë, Greqi, Armeni, Liechtenstein

Shpërndajeni me miqtë tuaj: