Depozitat, shqiptarët po shtojnë kursimet në euro

Depozitat, shqiptarët po shtojnë kursimet në euro
Qytetarët shqiptarë po kursejnë gjithmonë e më shumë pará në monedhën evropiane. Duke vërtetuar kështu rritjen e pranisë së saj në treg

Po preferojnë të kursejnë më shumë euro nëpër banka. Kjo është dukuria më e fundit që po shfaqet në bankat shqiptare, teksa depozitat në monedhën evropiane, figurojnë se janë shtuar më shumë se më parë. E duke folur kështu për një prani në rritje të eurove, e cila në fakt ka vazhduar përgjatë gjithë këtij viti, çka ka shkaktuar edhe një rënie të dukshme të saj në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Konkretisht, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se në fund të muajit tetor të këtij viti totali i depozitave në euro pranë bankave ka qenë rreth 779 milionë. Ndërsa një vit më parë, po në muajin tetor, kjo shifër ka qenë vetëm 710 milionë, duke treguar për një rritje të përvitshme të saj. Kjo, po të marrim parasysh edhe muajt tetor pararendës, të tillë si ai i 2016-tës kur depozitat në euro ishin vetëm 679 milionë. Në këtë këndvështrim, i bie që nga viti në vit për sistemin bankar të jetë paraqitur një ofertë më e lartë në monedhën evropiane prej qytetarëve shqiptarë. Por kjo vlen të thuhet edhe në tërësinë e depozitave në euro si të tilla, të krijuara jo vetëm prej këtyre të fundit, por edhe nga institucionet, qeveria qendrore e ajo lokale, shoqëritë e sigurimit, apo edhe korporatat, fondet e investimit, etj. Kështu, në totalin e të gjithë këtyre, depozitat në euro figurojnë se kanë qenë plot 4 miliardë në fund të muajit tetor të këtij viti. Ndërsa një vit më parë, po në muajin tetor, kjo shifër ka qenë vetëm 3.67 miliardë, duke treguar për një rritje të përvitshme të saj. Kjo, po të marrim parasysh edhe muajt tetor pararendës, të tillë si ai i 2016-tës kur depozitat në euro ishin vetëm 3.5 miliardë. Duke dhënë kështu një panoramë të qartë rritëse të “furnizimit” me euro që shqiptarët, qofshin këta individë, apo edhe institucione, u kanë bërë bankave të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë.

 

 

Nuk ndodh e njëjta gjë me dollarin, depozitat e tij paraqiten vetëm në rënie

Monedha amerikane duket se po e humbet vazhdimisht “lavdinë” e dikurshme në tregun monetar shqiptar

Valutë e huaj është edhe ajo, njësoj si monedha evropiane, por ama nuk duket se shfaq të njëjtin trend në tregun financiar shqiptar. Monedha amerikane, dollari, është fakt se po rezulton të jetë gjithmonë e më pak i pranishëm në kanalet bankare, në formë depozitash prej qytetarëve të këtij vendi. Dikur mjaft i preferuar si monedhë, jo vetëm për këmbime, transaksione financiare, por edhe kursime bankare, tashmë ai duket se po zëvendësohet nga ajo evropiane, që ka marrë një epërsi të dukshme në tregun vendas, me ofertën e shtuar të dukshme të saj. Kështu, gjithmonë sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se depozitat e qytetarëve në dollarë pranë bankave, në fund të muajit tetor kanë qenë vetëm 73 milionë të tilla, nga 94 milionë në muajin tetor të një viti më parë, madje edhe më të ulëta se ato të një muaji më parë, shtator 2018, kur ishin në vlerën e 80 milionë dollarëve. Sikundër,e dhe totali i depozitave në këtë monedhë nëpër bankat që operojnë në Shqipëri rezulton në rënie. Konkretisht, BSH-ja referon se në fund të muajit tetor 2018 ai ka qenë në vlerën e 558 milionë dollarëve, kundrejt 578 të tillëve një vit më parë. Apo 620 milionë që arriti kulmi i tyre në fillim të këtij viti.

 

Depozitat në lekë në “vendnumëro”, shifrat nuk e kapin dot ritmin e euros

Të kurseje pará në monedhën vendase, dikur dukej si gjëja më normale për një qytetar. Por mesa duket, kjo po zbehet me kalimin e kohës, teksa shifrat e depozitave në lekë po shfaqen pa një ndryshim të dukshëm nga viti në vit. Kështu, sipas Bankës së Shqipërisë, totali i këtyre depozitave ka qenë në nivelin e 563 miliardë lekëve në fund të muajit tetor, krahasuar me 553 të tilla në tetorin e vitit të kaluar, 2017. Duke folur kështu për jë rritje, thuajse të papërfillshme nga viti në vit, të kësaj depozite. Ndërsa nëse bëjmë një krahasim me muajin e mëparshëm, shtator 2018, madje shohim se ka rënie të tyre, ndërsa gjatë tij, ato ishin në vlerën e 568 miliardë lekëve. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet qartë se oferta e lekut që u jepet bankave të këtij vendi nga qytetarët, por edhe qeveria, apo biznesi në tërësinë e tyre nuk është se po shtohet, madje herë pas herë, ajo edhe pakësohet. Duke justifikuar kështu edhe forcimin e madh që monedha vendase ka pësuar në tregun e brendshëm valutor gjatë këtij viti, kundrejt asaj evropiane, euro, e cila ka patur një ofertë mjaft të madhe. Dukuri kjo, e cila e detyroi edhe vetë Bankën e Shqipërisë që të ndërmarrë nismën e ashtuquajtur të de-euroizimit, e cila synonte nxitjen e përdorimit të monedhës vendase dhe jo më të asaj evropiane. Por që mesa duket, ende nuk po e jep dot efektin e saj në tregun monetar shqiptar, derisa kjo e fundit po shfaqet ende mjaft e ulët në kursin e këmbimit, deri në kuotimin e 124 lekëve pak ditë më parë, si edhe mjaft e lartë në nivelet e depozitave bankare.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: