DEBATI PËR FINANCAT/ Kuvendi voton Buxhetin 2019, opozita: Na zhyt edhe më tepër në krizë!

DEBATI PËR FINANCAT/ Kuvendi voton Buxhetin 2019, opozita: Na zhyt edhe më tepër në krizë!
Mes debatesh të ashpra, Kuvendi ka miratuar dje Buxhetin 2019. Deputetët e mazhorancës rrëzuan të gjitha amendamentet e propozuara nga kolegu i tyre, Erion Braçe. Ndërsa ky dokument u kritikua menjëherë edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, sipas të cilit, ai i zhyt edhe më keq në borxh shqiptarët dhe u shërben oligarkëve

Mes debatesh të ashpra, Kuvendi ka miratuar dje Buxhetin 2019, dokumentin themeltar të financave të shtetit për vitin e ardhshëm. Një buxhet ky, i cili është kritikuar menjëherë nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, sipas të cilit, ai i zhyt edhe më keq në borxh shqiptarët dhe se u shërben oligarkëve.

Në një konferencë të posaçme për mediat, Basha tha se “buxheti i shtetit për 2019 është një vetë-aktakuzë që organizata kriminale e Rilindjes ka ngritur për veten e saj". “Është buxheti më katastrofë në 28 vjet, ngarkon me borxh edhe foshnjat e sapolindura, teksa shqiptarëve borxhi u shkon deri në 82%-84%”, tha ai.

Ndërkaq, seanca e djeshme plenare, ku u miratua buxheti në fjalë, u shoqërua me mjaft debate mes vetë anëtarëve të mazhorancës, pasi opozita vazhdon që të mos jetë e pranishme në seancat plenare, në formë bojkoti.

Kështu, deputeti socialist Erion Braçe paraqiti amendamentet e tij për mosndryshimin e taksës minerare;  atë për rritjen e taksës për lojërat e fatit nga 15% në 30%; rritjen e fashës së pagës që nuk tatohet, nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë; si edhe zerimin e taksës së ndërtesës për organizatat e personave me aftësi ndryshe dhe libraritë.

Të gjitha këto amendamente u rrëzuan me shumicën e votave në Kuvend. Teksa ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke mbrojtur tatimin për pagat, tha se qeveria e ka bërë tashmë një hap drejt mbrojtjes së punonjësve, duke e ulur tatimin për fashën nga 30 deri në 40 mijë lekë me vetëm 1.89%, ndërkohë që sipas tij, më parë taksohej me 10%, sipas taksës së sheshtë.

Por dhe kryeministri Rama ndërhyri për të dhënë shpjegimet e tij rreth kësaj. “FMN-ja e nisi historinë e marrëdhënies me ne, me kërkesën për të ulur pagat dhe pensionet. FMN-ja na kërkoi taksimin e pagës nga 15 mijë lekë, por ne e refuzuam. Sigurisht që është mirë që të mos dalim nga konteksti nga i cili jetojmë. Por mandatin e parë penguam falimentin e plotë, pasi taksa e sheshtë ishte një grabitje për ata që fitonin më pak”, tha Rama.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: