ASFIKSIMI I NJË PROTESTE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

ASFIKSIMI I NJË PROTESTE – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Protesta e studentëve u ngrit mbi tre kolona: Ka veten- kolonë të parë – d.m.th., studentët dhe të drejtën e tyre; ka ‘armikun’ përballë; dhe ‘miqtë’.

Kësaj here ‘kështjella’ po bie për shkak të ‘dashurisë së tepërt të miqve’. ‘Miqtë, domethënë partitë politike, po e godasin për vdekje. Po e godasin duke e ‘dashuruar’, aq sa dashuria e kangurit që të voglin e vet e fut në bark. Partitë politike, të korruptuara në palcë, të neveritura nga qytetarët, të vdekura për pushtet- kanë marrë peng protestën e studentëve si rrugë ‘suksesi’.

Protesta po asfiksohet në ‘barkun’ e politikës.

Asfiksia nga ‘europianizmi’ primitiv:

Studentët janë udhëzuar që të mos pranojnë ‘asnjë dialog’ me qeverinë para të cilës kërkojnë të drejtat e munguara. Qëllimi i partive politikë është që protestuesit të shfaqen si ‘memecë’ deri në momentin kur të kërkohet ndihmë. ‘Ndihmë se memeci nuk di të flasë!’, kështu e perceptojnë të dy partitë (PD+LSI). Atëherë e dinë vetë se si do të dialogojnë partitë opozitare me kryeministrin e vendit; edhe para një vit e gjysmë e bënë këtë duke krijuar një marrëveshje të fshehtë ku u mbyt opozitarizmi. Partitë kësaj here kanë angazhuar disa ‘eruditë  europianistë’ që po iu thonë protestuesve: “Kështu protestohet në Europë, as jelekverdhët e Parisit nuk pranojnë dialog’. Mungesa e dialogut krijon imazh anti-europian për studentët... Puna e partive  është se studentët nuk zgjidhin gjë dhe mbetën në rrugë si ‘mall’ për partitë.

Asfiksia për shkak të anarkisë së projektuar:

Partitë, që nxituan e hynë menjëherë në radhët e protestës së studentëve, udhëzuan që ‘të mos keni lidership, as përfaqësi’. Studentët avancuan në rrugën anarkike ‘pa lidership, pa kokë, pa ide’, duke deklaruar se ‘ne nuk i besojmë njëri tjetrit; prandaj nuk krijojmë përfaqësi’. Partitë ia arritën qëllimit që ta përdorin protestën për vete. Ato krijuan një masë studentësh e cila shkon sa majtas- djathtas, që nuk ka ide as përfaqësohet. Pas pak partitë do të tentojnë t’ua rrëmbejnë ‘trurin’,  domethënë do t’u marrin lidershipin dhe përfaqësimin studentëve. Atëherë?.. Zero.

Asfiksia për shkak të ngjashmërive negative:

Pa lidership!, pa ide!, pa projekt!,- kjo pamje e protestës ( e cila është imponuar nga partitë nëna) e mban protestën e studentëve nën  dyshim. (Partitë nëna them- sepse secila parti ka bijtë e vet në protestë). Dyshimi që bie mbi një protestë masive ‘pa kokë’ quhet ‘anarki’. Aktualisht ndodhemi në një moment kur në botë, këtu dhe rreth nesh, po bëhen përpjekje për të krijuar grupime libertariane që sjellin socializmin anarshik. Sistemi libertarian ka frikësuar botën. Por krahas kësaj ‘frike’ ndaj studentëve ( pa të drejtë- sigurisht- por kush po pyet për të drejtën) - ndaj protestës me ‘lidership të fshehtë’, mund të krijohen paralele me organizata të mallkuara në botë që nuk e tregojnë liderin.. Këtë tmerr po u ofron politika studentëve në protestë.

Asfiksia për ‘bukën që të kam dhënë’:

Ky është një makabritet, por ja që partitë- si klika dhe klane të pamëshirshme- e kanë në natyrë. Disa studentë, herë njëqind, herë njëzet, e herë pesë a gjashtë,- po mbahen jashtë në bulevard, gjithë natën e acartë të dhjetorit. Partitë i urdhërojnë ‘rri aty se të kam dhënë bukën’. Disa nga këta janë trajtuar në shkollat ideologjike ekstremiste të LSI në Jalë; disa të tjerë LSI u ka punësuar prindërit dhe u ka marrë kartat ID, etj. PD ka më pak nga kjo kategori, por çdo mbrëmje u dërgon pak buke e dy dru për zjarr në bulevard. Pra njësoj i shtyjnë studentët drejt ‘vdekjes’ për hesap të partive.  Sjelljet e partive janë makabre.

Asfiksia për shkak të kultit:

Arsyetoni një element: Studentët, nga mëngjesi në mëngjes, flasin jo për qeveri, jo për kuvend, jo për gjykatë..., por vetëm ‘kryeministri’. Njësoj si dy partitë: nga mëngjesi- në mëngjes- ‘Edi Rama, Edi Rama!”. Liderët e PD dhe LSI, në më të shumtën e kohës, kanë flirtuar me ‘piktorin dështak’ por edhe e kanë admiruar. Por nuk kanë mundur ta arrijnë as ta zëvendësojnë dhe prandaj i kanë ngritur ‘Kult’. Tani të dy partitë kanë futur në të njëjtën hulli edhe studentët; edhe ata janë verbuar me ‘kultin’ e Edi Ramës. Këta po krijojnë imazhin e  keq sikur studentët nuk i njohin të drejtën dhe institucionet.

E fundit: Asfiksia për t’u harruar:

Partitë politike po i përdorin studentët duke i bërë ‘zota’ në tokë. Kjo do të zgjasë derisa të marrin pushtetin, por pastaj askush nuk ’i njeh më’ heronjtë. Ja ku është shembulli më i mirë (d.m.th. më i zi) - Partia Demokratike. A bëri edhe Kongresin dje? Po... Por studentët e Dhjetorit ‘të parë’ nuk duken më gjëkundi në parti, as projektuesit dhe themeluesit e ‘Demokracisë’. Si mund të duken më ata të ‘Dhjetorit të Dytë”?

E doni modelin? Ja ku është...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: