Arrestohen pas tre vjetësh hetime trafikantët shqiptarë dhe italianë të kokainës

Arrestohen pas tre vjetësh hetime trafikantët shqiptarë dhe italianë të kokainës
Policia italiane ekzekutoi sot operacionin e koduar “Braveheart”, që çoi në shkatërrimin e dy grupeve kriminale të përbërë nga shqiptarë e italianë.

Me urdhër të Prokurorisë së Milanos u lëshuan 11 urdhra arresti ndaj 9 shqiptarëve e 2 italianëve, mes të cilëve 3 janë shpallur në kërkim.

Hetimet e këtij operacioni kanë nisur më fund të vitit 2015 dhe gjatë “Braveheart” u sekuestruan rreth 40 kg kokainë mjaft e pastër me vlerë të paktën 4 milionë euro.

Kokaina e prodhuar në Amerikën e Jugut blihej në Amsterdam e transportohej me automjete e kamionëve drejt Italisë.

Trafikantët e arrestuar jetonin në rrethinat e qyteteve të Milanos, Bergamos e Breshias.

Dy grupet e trafikantëve vepronin në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin, njëri grup kontrollonte zonën Greco Turro të Milanos e për trafikimin e kokainës përdorte automjete të modifikuar enkas për fshehjen e drogës.

Ndërsa grupi i dytë ia besonte trafikimin e kokainës shoferit shqiptar të një kamioni si dhe korrierëve italianë në moshë mbi 50 vjeç.

/l.k./

Marrë nga milano.corriere.it

Shpërndajeni me miqtë tuaj: