A MUND TË QËNDROJË POLITIKA JASHTË PROTESTAVE ME KËRKESA POLITIKE? - OPINION NGA EDISON KURANI

A MUND TË QËNDROJË POLITIKA JASHTË PROTESTAVE ME KËRKESA POLITIKE? - OPINION NGA EDISON KURANI
Nga Edison Kurani

Në Shqipëri, çdo dy vjet ka zgjedhje. Herë të përgjithshme dhe herë lokale. Në to thirren të votojnë, afro tre milionë shqiptarë. Ca prej tyre votojnë dhe ca jo.

Ca votojnë për një parti, e ca për parti tjetër.

E që në momentin që janë votues, janë të përfshirë në politikë.

Ndaj askush nuk mund të thotë se s’ka lidhje me politikën, sepse vetë vota, është arkitektja kryesore e të bërit politikë, e pjesëmarrjes në politikë dhe e vënies në krye tonë, të përfaqësuesve politikë që bëjnë politikat për hesapin tonë, qoftë në pushtet e qoftë në opozitë.

Kësisoj, ne jemi pjesë integrale e politikës, ashtu si ndodh sigurisht, kudo në botë.

Atëherë, përse kaq shumë linçim ndaj politikës?

Përse thërritet deri në klithje që politika të qëndrojë jashtë protestave kur vetë ato përmbajnë kërkesa politike apo që duan zgjidhje politike?

Përse kërkohet që politika të mos guxojë të afrohet?

Që politikanët dhe mbështetësit e tyre të rrinë “vite dritë” larg e të mos duken në protesta, a thua se janë delja e zezë, apo macja e zezë që do t’u sjellë tersllëk?!

Nga ana tjetër, refuzohet dhe dialogu me qeverinë edhe pse disa kërkesa, duan apo nuk duan protestuesit apo kryeministri, kërkojnë zgjidhje politike, si për shembull ajo e 5 përqindshit të GDP që kërkohet t’i kalojë ekskluzivisht arsimit.

Kështu, protesta e tejzgjatur e studentëve është futur në një rreth vicioz, ku orët e fundit, duket se universitarët nuk janë në avantazh.

Atëherë lind pyetja: A duhen përjashtuar përfaqësuesit politikë, qoftë të mazhorancës, qoftë të opozitës, duke lëshuar ndaj tyre ultimatume, vrer, urrejtje, përçmim, paçka se vetë i kanë  zgjedhur, duke e ditur fare mirë si shumëkush që voton, se një pjesë do t’i drejtojë dhe të tjerët do të kritikojnë ata që qeverisin.

Nga ana tjetër është dhe kryeministri që përdor dy standarde: Vetë kërkon që studentët t’i bashkohen për një zgjidhje politike kurse shigjeton dhe fshikullon çdo përpjekje që në protestë të bashkohen njerëz që i përkasin politikës opozitare.

Edhe ky, një paradoks më vete? Si mund të shënjestrosh politikanët kur je vetë i tillë?

Në këtë vorbull, opozita është totalisht e frustruar.

Ata kanë frikë të bëjnë detyrën që i ka ngarkuar populli që e votoi. Detyrën që të jetë pranë çdo shtrese që ka nevojë t’i dëgjohet zëri.

Kanë frikë të shkojnë aty ku ende po refuzohet zëri i qeverisë.

Opozita, më së paku ka frikë ose më së shumti është e paaftë që të shkojë në protestë, në ballë të saj dhe të shpalosë mendime, ide, projekte dhe zgjidhje që të çojnë përpara studentët dhe t’i nxjerrë nga rrethi vicioz ku janë futur. Për më tepër, në kushtet kur kërkesa kryesore, ajo e 5 përqindshit, është thënë copë nga Rama se nuk do ta realizojë.

Ndaj, protestues dhe shqiptarë, mund dhe duhet të bashkohen për të drejtat e tyre, kudo. Sepse duam apo s’duam, pjesë e politikës jemi të gjithë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: